Vendosni fjalën kyçe....

Kim: Vendimi për përjashtimin e Berishës meriton respekt, PD u shkëput nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen


Ambasadorja amerikane Kim ka reaguar mëngjesin e sotëm pas vendimit të kreut të PD-së, Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar.

Ajo shkruan se një vendim i tillë është i vështirë por meriton respekt.

Në mesazhin e shpërndarë në Facebook, thuhet se ky vendim tregon se PD ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara për të ndërtuar të ardhmen.

Në fund të mesazhit theksohet se SHBA ka pasur një marrëdhënie të veçantë me PD-në e se palët do punojnë më ngushtësisht për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

“Vendimi i vështirë i shpallur dje nga Kryetari Lulzim Basha meriton respekt. Ky vendim demonstron se, ashtu siç ndodhi 30 vjet më parë dhe në momente të tjera kritike në historinë e Shqipërisë, Partia Demokratike ka kurajon për t’u ndarë nga e shkuara me qëllim që të ndërtojë të ardhmen, për të ndihmuar që ta udhëheqë Shqipërinë përpara. Shtetet e Bashkuara kanë pasur një marrëdhënie të veçantë me Partinë Demokratike që nga themelimi i saj dhe presim me kënaqësi të punojmë më ngushtë se kurrë me Kryetarin Basha dhe Partinë Demokratike për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.” – shkruhet në mesazhin e Kim.

Reagimi i ambasadës amerikane vjen pak para nisjes së seancës së parë plenare të parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. Mbrëmjen e djeshme, kreu i PD-së, Basha, vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Ky i fundit u kundërpërgjigj duke thënë se do bënte gjithçka për kthimin e sovranitetit në PD.