Arrestohen dy vëllezër për kultivim të bimëve narkotike dhe dy të tjerë, njërit prej të cilëve iu gjet edhe kokainë.
Detajet e operacionit:
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të tentativave për kultivim të kanabisit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau Dejës, në bashkëpunim me DVP Shkodër kanë ushtruar kontrolle në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura apo ish-reparte ushtarake, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bena”, si rezulat i të cilit u ndaluan shtetasit E.K., 25 vjeç , E.K., 22 vjeç, (vëllezër), banues në fshatin Benë, Vau Dejës.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur, janë autorët e dyshuar të disa rasteve të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Benë, Njësia Administrative Shllak, Bashkia Vau Dejës.
Po në vijim të operacionit të koduar “Bena”, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau Dejës, u arrestua në flagrancë shtetasi Gj.D., 44 vjeç , banues në fshatin Kosmaç, Vau Dejës, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë në një serë në pronën e tij u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike kanabis. Gjithashtu gjatë kontrollit shëbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe 19.5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu po në vijim të operacionit nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Shkodër u arrestua në flagrancë shtetasi N.D., 40 vjeç banues në fshatin Bleran, pasi në sheshin “Prekë Cali” Shkodër , gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga shtetasi i lartëpërmendur iu gjetën të fshehura disa doza të vogla të dyshuara lëndë narkotike e llojit kokainë dhe një shumë eurosh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet paraprake të kryera bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se ky shtetas merrej me shpërndarje në doza të vogla të drogave të forta kryesisht kokainë.