Presidenti Ilir Meta uron Lindita Nikollën për detyrën e saj të re si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë duke komentuar këto dy vite bojokoti opozitar të parlamentit si dy vitet më të errëta të historisë sonë parlamentare.
“Urime Kryetares të zgjedhur sot nga Kuvendi i ri i konstituar i Republikës së Shqipërisë!
Më në fund kemi mbyllur dy vitet më të errëta të historisë tonë parlamentare, në këto tre dekada, me pasoja shumë të rënda dhe afatgjata për demokracinë, shtetin e së drejtës, integrimin europian dhe gjendjen ekonomike e sociale të qytetarëve tanë.
Tani asnjë sekondë bojkot, nuk ka vlerë dhe kuptim!
Mbështetje për Kryetaren e zgjedhur, Sh.S.Znj Lindita Nikolla dhe bashkëpunim për interesin e përbashkët të forcimit të demokracisë, shtetit të së drejtës, rivendosjes së llogaridhënies në Kuvend dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.”, shkruan Meta.
Nikolla u zgjodh me 79 vota pro. Deputetët demokratë grisën fletët e votimit pa i hedhur në kuti në shenjë proteste ndaj saj. Kryeministri Rama pasi ndërhyri në procesin e votimit duke mbledhur fletët e grisura, e cilësoi veprimin e demokratëve fyerje për zonjën Nikolla.