Vendosni fjalën kyçe....

Nikolla zgjidhet kryetare e Kuvendit të Shqipërisë edhe pas grisjes së fletëve nga demokratët (Foto/Video)


Lindita Nikolla zgjidhet kryetare e Kuvendit të Shqipërisë edhe pas grisjes së fletëve nga deputetët demokratë. Ajo mori 79 vota pro. Në votim morën pjesë 137 deputetë, 83 fletë votimi qenë të vlefshme, ndërsa 4 vota qenë kundër Nikollës.

Menjëherë sapo nisi fjalën e saj, demokratët u ranë tavolinave dhe braktisën seancën.

Votimi u krye i fshehtë. Nikolla u propozua nga 15 deputetë socialistë. Më herët u mblodh Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në selinë e kësaj partie.

Vetëm pak minuta nga nisja e seancës në Kuvendin e Shqipërisë, grupi i deputetëve demokratë është duke zhvilluar një mbledhje, teksa informacionet paraprake ishin se do të pozicionohej kundër votimit të Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit.

Seanca e parë e kësaj legjislature nisi në orën 10:00 të ditës së sotme, më shumë e fokusuar te pjesa formale e himnit dhe leximit të emrave të deputetëve.

Mbledhjet e sotme në kuvend janë paraprirë nga zhvillime të forta të ditës së djeshme në Partinë Demokratike, ku kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha.

Amerikanët ia kërkuan publikisht përjashtimin e tij./Hashtag.al