Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i Berishës: Vendimi i Bashës është nul, pazari i tij me Ramën duhet çmontuar një orë e më parë


Ish-kryeministri Berisha e quajti një pazar të fëlliqur vendimin e kreut të PD-së, Basha, për përjashtimin e tij.

Në një deklaratë pas daljes nga parlamenti, Berisha tha për mediat se nga sot do nisë betejën kundër atyre që i quajti pazare të fëlliqura mes kryedemokratit Basha e kryeministrit Rama në kurris të shqiptarëve dhe Partisë Demkratike.

Ai theksoi se do ndërmarrë çdo nismë ligjore e statutore brenda PD-së për të kthyer sovranitetin në parti e për ta kthyer selinë blu në rrugën për largimin e qeverisë Rama.

“Ajo që ndodhi është një pazar Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një orë e më parë. PD është parti e të drejtave e lirive njerëzore, e kushtetueshmërisë, e interesit kombëtar. Do marr çdo nismë ligjore e statutore  brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që mertiton. Unë jam anëtar i grupit parlamentar të PD. Vendimi i kompromisit Basha-Rama është nul, nuk ka asnjë mbështetje ligjore përveç fëlliqësisë morale të pazarave prapa shpine ndaj një force politike si PD. Do jetë shumë e afërt dita kur PD do rifitojë gjithë forcën, vendosmërinë, legjitimitetin  për të shporrur një klikë sunduese të bazuar mbi krimin, drogën e pazaret e fëlliqura me ata që e shndërrojnë PD-në në fasadë-opozitë.” – theksoi Berisha.