Vendosni fjalën kyçe....

Pfizer/BioNTech kërkon miratimin për vaksinimin e fëmijëve nën 12 vjeç


Pfizer/BioNTech do të aplikojë për miratim për vaksinën e saj kundër COVID-19 për fëmijët nën 12 vjeç, njoftoi kompania të premten.

“Ne do t’i paraqesim rezultatet e studimit tonë midis fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç tek rregullatorët në të gjithë botën në javët e ardhshme dhe do të aplikojmë për autorizimin e vaksinës sonë për këtë grupmoshë, gjithashtu këtu në Evropë,” tha për mediat gjermane Ozlem Tureci, bashkëthemeluesja e BioNTech dhe shefe mjekësore e kompanisë.

Ajo tha se vaksina është e njëjtë me atë që po përdoret për grupmoshat e tjera, por doza e saj do të modifikohet për grupmoshën më të re.

Gjetjet e hershme të studimeve të kryera nga firma farmaceutike gjermane treguan se një dozë më e ulët e vaksinës është e sigurt dhe efektive për grupmoshën 5-11 vjeç, dhe kompania tashmë ka filluar përgatitjet për prodhim.

Nëse Agjencia Evropiane e Barnave jep miratimin, Gjermania mund të fillojë vaksinimet për grupmoshën që në mes të tetorit, raportoi e përjavshmja ‘Der Spiegel’.