Vendosni fjalën kyçe....

Shkalla e papunësisë zbriti në 11.6% në tremujorin e dytë


Cikli i rimëkëmbjes graduale të ekonomisë shqiptare nga efektet e pandemisë është reflektuar më shumë në treguesit e punësimit gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Të dhënat e Instat treguan se shkalla e papunësisë zbriti në 11.6%, nga 11.9% që kishte qenë në tremujorin e parë, por edhe në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0.2 pikë përqindje për burrat, dhe me 0.6 pikë përqindje për gratë.

Megjithatë, papunësia ngelet ende më e lartë krahasuar me periudhën e para krizës. Në matjen e fundit para se vendi të prekej nga pandemia, në fund të vitit 2019, shkalla e papunësisë kishte qenë 11.2%.

Sipas grupmoshave, zhvillimi më domethënës gjatë këtij tremujori është rënia e shkallës së papunësisë në segmentin më të brishtë, atë të të rinjve, dhe rritja e saj në grupmoshën më të konsoliduar në tregun e punës, atë mbi 30 vjeç. Sipas Instat, shkalla e papunësisë për të rinjtë nga 15-29 vjeç zbriti në nivelin rekord 19.9%, nga 23.3% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm dhe 21.4% në tremujorin e dytë 2020. Kjo është shkalla më e ulët e papunësisë së të rinjve e regjistruar ndonjëherë në serinë e të dhënave të Anketës së Forcës së Punës.

Për grupmoshën 30-65 vjeç, shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë u rrit në 9.5%, nga 9.1% që kishte qenë në tremujorin e parë dhe duke u kthyer në të njëjtin nivel me tremujorin II 2020.

Përmirësimet në tregun e punës ilustrohen edhe nga rritja e shkallës së punësimit, që për grupmoshën 15-64 vjeç është rritur në 60.7%, nga 59% që ishte në tremujorin e parë dhe 59.6% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe në shkallën e punësimit efektin më të madh e kanë dhënë të rinjtë, ku shkalla e punësimit është rritur në 41.6%, nga 38.9% në tremujorin e parë.

Punësimi është rritur edhe në grupmoshën 30-64 vjeç, në 70.2%, nga 69% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Kjo tregon se rritja paralele e shkallës së papunësisë për këtë grupmoshë mund të lidhet me një pjesëmarrje në rritje në tregun e punës. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës për popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç u rrit në 51.7%, nga 50.5% që ishte në tremujorin e parë, por ngelet në një nivel lehtësisht më të ulët krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Sipas sektorëve, duket se ndikimin kryesor në rritjen e punësimit gjatë tremujorit të dytë e ka dhënë industria, me 10.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kontribut pozitiv ka dhënë edhe sektori i shërbimeve, me një rritje vjetore të punësimit prej 3.1%, ndërsa në rënie të ndjeshme paraqitet bujqësia, ku numri i të punësuarve është tkurrur me 6.6%.

Pavarësisht tendencës përgjithësisht pozitive në treguesit e punësimit, gjatë tremujorit të dytë u shënua një rritje e lehtë e të dekurajuarve, që janë ajo pjesë e popullsisë jo-aktive (e moshës 15-64 vjeç) që nuk kërkojnë punë sepse nuk besojnë se mund ta gjejnë. Në tremujorin e dytë ata përbënin 11.6% të popullsisë jo-aktive, nga 11.2% në tremujorin e parë të vitit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor