Arrestohet 31-vjeçari që vrau ish-bashkëshorten e tij në Fier.
Elton Metaj, banues në Peshtan Fier është arrestuar pas disa orësh nga vrasja në pyllin e Peshtanit.
Metaj vrau ish-bashkëshorten Sabrina Bengaj në banesën e prindërve të saj, mbrëmjen e djeshme në 22:50, në fshatin Zhupan të Fierit.
Metaj ishte i njohur për policinë pasi ishte arrestuar kohë më parë për pengmarrje të ish-bashkëshortes Bengaj por më pas ishte liruar.
“Gjykata dhe prokuroria e liruan. Jam i tronditur. Kishte hyrë në shtëpi, më kishte kërkuar edhe mua për të më vrarë. Në shtëpi ishte dhe nëna. Motra po hante bukë kur ai e vrai”, tha vëllai i të ndjerës Bengaj.
Sabrina Bengaj ishte vetëm 23 vjeç dhe nënë e një fëmije 3 vjeç.
Detajet e policisë:
Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhupan, në banesën e ish-vjehrrit, shtetasi Elton Metaj ka vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij, shtetasen S. B., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe organizuan punën për kapjen e autorit i cili ishte larguar nga vendngjarja me një motomjet.
Pas 3 orësh ndjekje u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e autorit në një zonë të pyllëzuar të fshatit Peshtan, bashkë me armën e krimit automatik dhe motomjetin me të cilin u largua nga vendngjarja të cilat u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” shtetasin Elton Metaj, 31 vjeç, banues në Peshtan( i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” , “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Dhunë në familje” ).