Vendosni fjalën kyçe....

Danimarka, vendi i parë në Europë që heq plotësisht masat antikovid


Të gjitha rregullat e mbetura kundër koronavirusit u anuluan zyrtarisht në Danimarkë të premten, duke e bërë atë shtetin e parë në Bashkimin Europian që i kthehet plotësisht jetës së përditshme parapandemike, shkruan “Russia Today”.

Duke filluar nga mesnata e 10 shtatorit, virusi vdekjeprurës nuk klasifikohet më si një “sëmundje kritike shoqërore” nga qeveria daneze, që do të thotë se nuk do të zbatohen masa të veçanta në lidhje me Covid-19. Të gjitha kufizimet e zbatuara më parë nga autoritetet, duke përfshirë kërkesat e “coronapass”, një lloj lejeje për të hyrë në klubet e natës dhe vende të tjera, një ndalim për tubimet masive dhe veshjen e detyrueshme të maskave janë hequr, 548 ditë pasi kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen deklaroi mbyllje totale të vendit. Në Mars 2020, Danimarka ishte ndër vendet e para që zbatoi masa të ashpra për të luftuar koronavirusin.

Autoritetet daneze thonë se “epidemia është nën kontroll”. Ata rezervuan të drejtën për të përforcuar masat speciale “nëse pandemia kërcënon përsëri funksione të rëndësishme në shoqëri”.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Danimarkës, “normat e larta të vaksinimit” ndihmuan vendin të krijojë një precedent në Bashkimin Evropian dhe t’i kthehet jetës pa asnjë kufizim të lidhur me Covidin.

Tre nga katër qytetarë danezë e konsiderojnë vaksinimin kundër virusit një detyrë qytetare, sipas një sondazhi të “Eurobarometër”-it të kryer muajin e kaluar në emër të Parlamentit Evropian. Nga 1.000 danezët e zgjedhur në mënyrë përfaqësuese, 43% u pajtuan plotësisht me deklaratën se të gjithë duhet të vaksinohen, ndërsa 31% thanë se kanë prirjen të bien dakord. Për të gjithë BE -në, përqindja e njerëzve që pajtohen plotësisht ose kryesisht me deklaratën është 66%, raportoi të premten gazeta daneze “Ekstra Bladet”.

“Gjatë gjithë pandemisë, Danimarka ka pasur pranim më të lartë se shumë vende,” shkroi lidhur me vaksinimin në “Twitter” profesori Michael Bang Petersen, i cili këshilloi qeverinë daneze në lidhje me këtë çështje duke thënë “nuk ishin të nevojshme masat”. Një besim “tepër i lartë dhe plotësisht i qëndrueshëm” te autoritetet në lidhje me menaxhimin e pandemisë qëndron pas pranimit të gjerë të vaksinave në vend, shkroi Petersen. Ai tha se heqja e kufizimeve u bë e mundur falë veprimeve kolektive, pasi qeveria “formuloi distancimin si një projekt moral, i cili fitoi mbështetje të lartë publike”.

Deri në shtator, mbi 73% e 5.8 milion banorëve të Danimarkës ishin vaksinuar plotësisht, me më shumë se 8.6 milion doza anti-Covid të administruara në total. Gjatë gjithë pandemisë Danimarka regjistroi më shumë se 352,000 raste të virusit.