Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar për vrasjen e 23-vjeçar në Fier nga ish-burri i saj që kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.
Nikolla thotë se vrasja e të resë është një kambanë alarmi që nuk bie për herë të parë.
Ndërsa më tej, Kryetarja e Kuvendit kërkon hetim të thelluar në të gjithë zinxhirin e institucioneve të drejtësisë për këtë ngjarje.
“Deri kur kështu?
Një vajzë e re, vetëm 23 vjeç, nëna e një vajze 3 vjeçe vritet barbarisht nga një kriminel që u la i lirë nga drejtësia e munguar. Vrasja e Sabrinës është një kambanë alarmi, që nuk bie për herë të parë fatkeqësisht.
Ngjarja kërkon hetim të thelluar në të gjithë zinxhirin e institucioneve të drejtësisë. Të mos presim të vrasin sërish, por ta kthejmë mbrojtjen dhe respektin ndaj gruas në një çështje të të gjitha institucioneve. E tillë do të jetë edhe për Kuvendin e Shqipërisë”-shkruan Nikolla.