Sali Berisha deklaroi mbrëmjen e sotme se demokratët do e hedhin në kosh vendimin antistatutor, antiligjor e antidemokratik të marrë nga kreu i PD-së.
Ai e bëri deklaratën gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e nderimit të Azem Hajdarit ku theksoi se vendimi i fundit i kryedemokratit tregon se ai ka vetëm një interes, atë personal.
Berisha u zotua se demokratët do ngrihen më të bashkuar se kurrë për të përmbysur regjimin e drogës, krimit, vjedhjeve e pazareve.
“Natyrisht një poshtërim i padëgjuar dhe paparë ndonjëherë në historinë e partisë së lirive, të drejtave ligjore dhe interesit kombëtar siç është PD, ka ndodhur dhe jam i sigurtë se anëtarët, mbështetësit drejtuesit e të gjitha niveleve të PD, do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin anti-statutor, antiligjor, antidemokratik të atij që sot është në krye të PD, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, atë të vetin personal. Ndaj dhe merreni këtu, këtë prani sot edhe si një zotim para tribunit tonë legjendar që PD-në do ta ngrejmë në piedestalin që e ngriti ai me shokët e tij, që demokratët nuk ka forcë në botë që ti mposhtë ata, por do ngrihen dhe të ecin të sigurtë, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë për të përmbysur regjimin e drogës, krimit, vjedhjeve, regjimit e pazareve dhe të kakistokracisë.” – tha ndër të tjera Berisha.