Presidenti Joe Biden i ka kërkuar Kongresit të financojë transportin, kontrollin dhe ‘burimet e zhvendosjes së plotë’ për refugjatët afganë të transportuar nga Kabuli që janë duke pritur për të shkuar në SHBA. Operacioni do t’i kushtojë SHBA-së 6.4 miliardë dollarë.
Në kohën kur aeroplani i fundit amerikan u largua nga Aeroporti Ndërkombëtar ‘Hamid Karzai’ në Kabul një javë më parë, më shumë se 120,000 njerëz ishin larguar me aeroplan nga kryeqyteti afgan. Megjithatë, më pak se 6,000 prej tyre ishin qytetarë amerikanë dhe familjet e tyre. Sipas Pentagonit, ‘shumica dërrmuese’ ishin refugjatë afganë dhe aplikues për Vizë Emigruese Speciale.
Këta afganë u dërguan në bazat ushtarake amerikane në të gjithë botën ose vende të tjera për t’u përpunuar, me disa tashmë që kanë mbërritur në SHBA. Sidoqoftë, mbajtja dhe transportimi i këtyre refugjatëve kushton para dhe Biden të martën zbuloi çmimin në një kërkesë drejtuar Kongresit: 6.4 miliardë dollarë.
6.4 miliardë dollarë do të financojnë kontrollin e sigurisë dhe shëndetit të ‘dhjetëra mijëra’ afganëve në qendrat e përpunimit jashtë SHBA-së, ndihmat humanitare për këta njerëz, kostot e tranzitit nga qendrat në Shtetet e Bashkuara, ‘së bashku me burimet e zhvendosjes së plotë.
Një zyrtar i administratës u tha gazetarëve se financimi do të përdoret për të sjellë rreth 65,000 afganë në SHBA deri në fund të shtatorit, dhe 30,000 të tjerë pas kësaj.