Vendosni fjalën kyçe....

Doli 7 mijë vota minus në zgjedhje, por Damiani mbetet krenar për suksesin


Damian Gjiknuri e quan sukses rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit në Qarkun e Vlorës edhe pse ka dalë më 7 mijë vota më pak.

Në zgjedhjet e 25 prillit 2021 ai ishte drejtues politik i PS-së në qarkun e Vlorës, siç ka qenë në 5 vitet e fundit. Gjiknuri ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij për suksesin e arritur.

Po ka vetëm një problem të vogël në atë që Sekretari i Përgjithshëm i PS-së e quan sukses.

Në zgjedhjet e fundit, PS-ja doli me 7 mijë vota minus dhe nuk dihet çfarë ka pasur në mend Gjiknuri kur ka përdorur këtë term në postimin e tij në Facebook.

Ai ka publikuar një foto me një mesazh drejtuar bashkëpunëtorëve ku thekson se energjia që u krijua me sukses në Vlorë, duhet shpërndarë në gjithë vendin.

“Krenar për skuadrën e Partisë Socialiste në Vlorë, të cilën pata fatin ta drejtoj dhe kënaqësinë të bashkëpunoj për një periudhë pesëvjeçare. Gra e burra, djem e vajza me të cilët arritëm rezultat rekord në dy palë zgjedhje parlamentare, duke marrë 8 mandate deputetësh dhe shënuar fitoren më të thellë, për Partinë Socialiste në rang vendi. Votën dhe besimin që na dhanë qytetarët për të qeverisur ne e kthyem në një paketë investimesh prej 1 miliard euro, të cilat transformuan plotësisht Qarkun e Vlorës. Tani është koha që energjinë dhe frymën, që me sukses e krijuam në Vlorë, ta përcjellim në gjithë Shqipërinë.” – shkruan Gjiknuri në Facebook.