Nga Endri Shabani
Sot një grua shtatzanë po lufton per jetën, sepse ashensori i pallatit u këput. Unë e kam provuar vetë ankthin e një rasti të tillë disa muaj më parë, kur mamaja ime ishte në ashensorin e pallatit kur iu këputen kavot. Ajo shpëtoi mirë, por jo të gjithë kanë fat.
Raportohet se çdo muaj ka mbi 200 incidence ku banorët e Tiranës bllokohen në ashensor për shkak të problemeve teknike.
A ka ndonjë njeri përgjegjës për këtë punë?
Të gjithë e mbajmë mend vajzen 30 vjeçare që u dogj në ashensorin e një pallati në Tiranë.
A zuri njeri mend nga ajo ngjarje? Hiç fare.
Jo më larg se një muaj më parë një ashensor tjetër mori flakë në Tiranë?
E vrau njeri mendjen? As që bëhet llaf.
Ndërkohë media kujdeset që kur i raporton këto raste të mos përmendet përgjegjësia e bashkisë apo emri i Erionit. Me pak fjalë në vend që të rritet siguria e ashensorëve, këtu rritet vetëm censura e lajmit.
Prandaj dua të përmend përgjegjësinë e Erionit në këtë punë:
E para, kryetari i bashkise ngarkohet nga ligji për administrimin e banesave për të emëruar administratorët e pallateve. Kështu që çdo individ apo kompani që administron një pallat duhet të ketë marrë licencë nga bashkia.
Qëllimi i licencës nuk është që Erioni të përzgjedhë patronazhistët që bëjnë vota për PS-në, por që të licencojë ata administratorë që sigurojnë se ne nuk do vdesim në ashensor.
Së dyti, i njëjti ligj (neni 39) detyron bashkinë që të kontrollojë sigurinë teknike të pallateve, ç’ka përfshin ashensorët.
Së treti, si një prej drejtuesve të Partisë Socialiste ai është gjithashtu në pozitë për të kërkuar që Inspektorati Shtetëror Teknik të garantojë sigurinë e ashensorëve, të pakten në qytetin që ai drejton.
Së katerti, edhe në rastin e vajzës që u dogj në ashensor, ashtu edhe në këto rastet e tjera, banorët ankohen se zjarrefikësi vjen me vonesë.
Në varësi të kujt eshte zjarrfikësi?! E gjete…Ligji për qeverisjen vendore (neni 29) e ka kaluar zjarrfikësin në varësi të kryetarit të bashkisë.
Pra, nëse Erioni do kalonte më pak kohë duke gjëmuar plakat me shami që shesin domate, dhe më shumë kohë duke bërë detyrën që i ngarkon ligji, ne sot do ishim më të sigurtë nëpër pallatet tona.
Por unë kam frikë se rasti i sotëm nuk do jetë i fundit, sepse ata që ne kemi vënë në krye për të na ruajtur nuk duan t’ia dinë fare për jetën tonë.
Prandaj pyetja e vërtetë nuk është edhe sa duhet të vdesin që të zërë mend Erioni, se ai e ka bërë zgjedhjen e vet.
Pyetja është: edhe sa do durojmë ne, banorët e këtij qyteti?