Një sasi barnash kontrabandë si dhe 10.500 euro të padeklaruara janë kapur në Portin e Durrësit.
Në pranga ka rënë drejtuesi i kamionit me iniciale A.M. Ai u ndalua pas dyshimeve se transportonte mallra të padeklaruara.
Pas kontrollit, 53-vjeçarit me banim në Durrës iu gjetën në kabinë një sasi barnash e sasia e lartpërmendur e valutës.
Njoftimi
“Port, Durrës.
Policia Kufitare godet një tjetër rast të kontrabandës me medikamente mjekësore dhe mosdeklarimit të të hollave në kufi.
Sekuestrohen një sasi ilaçesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës dhe 10.500 euro të padeklaruara.
Procedohet penalisht poseduesi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK, Port Durrës, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll më të imtësishëm një mjet kamion që drejtohej nga shtetasi A. M.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në kabinën e kamionit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës si dhe 10.500 euro të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, u procedua penalisht për veprat penale “Kontrabandë me mallrat e licensuar” dhe “Mosdeklarimi i të hollave në kufi”, shtetasi A. M., 53 vjeç, banues në Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”