Vendosni fjalën kyçe....

Osmani i përulet moskonsensusit partiak, vendos të mos shtyje datën e zgjedhjeve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas dëgjesës me partitë politike ka vendosur që të mos shtyjë datën e zgjedhjeve lokale.

Osmani në një deklaratë për shtyp tha se partitë nuk gjetën konsensusin dhe për këtë shkak data do mbetet ajo që ka qenë (17 tetor).

Presidentja shtoi se nëse do ketë përshkallëzim të situatës së pandemisë partitë do ulen sërish dhe do diskutojnë për datën e zgjedhjeve.

Përkundër rekomandimeve të IKSHP-së për shtyrje të zgjedhjeve, mendimi mbizotërues i subjekteve politike opozitare ishte kundër shtyrjes së zgjedhjeve. Unë mendoj se ky mendim mund të ketë pasoja për shëndetin e qytetarëve. Jam për një shtyrje sado të shkurtër të zgjedhjeve, që do të ishte në mbrojtje të qytetarëve tanë. Meqenëse Kushtetuta është e heshtur për shtyrjen e zgjedhjeve dhe mundësia e vetme është gjetja e konsensusit mes palëve, që në këtë moment mungon, unë i ftoj të gjitha subjektet politike, sidomos ata që nuk i kanë respektuar masat deri më tani, që t’i respektojnë masat përgjatë ditëve në vijim, deri më 17 tetor. Nëse ka eskalim të gjendjes, ne do të ulemi sërish e do të diskutojmë për datën e zgjedhjeve. Do ta shohim me kujdes situatën dhe nëse do të ketë situatë të rënduar, do të ulemi të diskutojmë sërish, por për momentin data e zgjedhjeve mbetet 17 tetori”-deklaroi Osmani.