Rushaj: PS-ja kërkon të zvogëlojë hapësirën e opozitës në Kuvend, Balla: U informuam që do kemi edhe dy grupe të tjera parlamentare


Kryetarët e Grupeve Parlamentare të PD-së dhe PS-së kanë folur pas mbylljes së seancës së Kuvendit pa miratuar strukturat dhe kryetarët e komisioneve.

Kryetari i Gr.Parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se gjuha e opozitës ishte e papranueshme dhe se në këtë seancë nuk duhej të bëhej debat por subjektet duhet të miratonin propozimet e tyre.

Balla thotë se propozoi më shumë kohë që deputetët e LSI-së të kishin kohën e nevojshme.

Nuk e fsheh keqardhjen lidhur me mungesën e arsyes për t’u larguar nga një seancë që duhet të ishte një seancë dakordësie e plotë. Subjektet miratojnë propozimet e tyre. Fryma e rregullores përcakton qartë se në këtë ditë s’mund të kemi debat me njëri tjetrin.

Ajo që unë propozova ishte për t’i lënë më shumë kohë e hapësirë deputetëve të LSI të merrnin kohën e nevojshme.

Shpresoj e besoj që edhe kjo ngjarje mos përsëritet më në seancat pasardhëse. Koha për debate e sherrnajë ka përfunduar. Kemi një mandat të rëndësishëm për të cuar përpara. S’mund të gjejmë arsye të paqena për të bërë debat apo të t’u larguar nga seanca plenare.

Në ditët në vijim do të kemi sërish seancë. U informuam që do kemi edhe dy grupe të tjera parlamentare. Më rëndësi është gatishmëria jonë, dhe ju e patë edhe pas kësaj, gjuhe të papranushme nga opozita, do vijojmë të shprehim dëshirën tonë për të gjetur rrugë të komunikimit e dialogut konstruktiv”-tha Balla.

Ndërsa Alfred Rushaj, deklaroi se PS-ja shkeli rregulloren dhe hapësirën e përfaqësimit të opozitës në parlament.

Sot dihet të ishte një seancë rutinë, normale e Kuvendit ku secila prej forcave politike duhet të zinte vendin e vet në komisionet parlamentare për të bërë detyrën. Për fat të keq që në seancën e parë u shkel rregullorja me të dyja këmbët dhe u shkel për të zvogëluar hapësirën e përfaqësimit të opozitës në parlament. Kjo është e papranueshme, është diçka që nuk duhet ta bëjë askush. Prandaj i bëjmë thirrje kryetares së Kuvendit dhe Grupit Parlamentar të PS që të zbatojnë rregulloren. Nuk mundet dhe nuk do ta bëjnë që të zvogëlojnë zërin e opozitës në Komisionet Parlamentare.  Ajo çfarë jam unë këtu të them është që nuk do ta lejojmë PS-në që në mënyrë të hapur të shkelë rregulloren.”- tha Rushaj.