Nga Çapajev Gjokutaj
E vrau tek po hante. Ishte drekë e vonë, sa qe kthyer nga puna dhe kishte uri. I duhej të punonte, të ushqente veten dhe vajzën tre vjeçare. Krimi për të cilin u ndëshkua Sabrina 23 vjeçare ishte divorci nga një burrë problemor, dmth nga ky ‘trimi’ që e vrau me bukë në gojë.
S’ishte krim i papritur, rrufe në qiell të pastër, përkundrazi ishte vrasje e paralajmruar. Para një viti e ndjera kishte marrë vajzën dhe kishte ikur tek prindërit për t’i shpëuar sherrit e shamatasë së përditshme. Trimi në fjalë qe ofenduar rëndë dhe kishte vajtur ta merrte nën kërcënimin e armës. Si rezultat përfundoi në burg. Kemi apo s’kemi shtet!
U gjetën ca të pandërgjegjshëm, gjyqtarë e mjekë që, për arsye që s’dihen por merren me mend nga gjithkush, e nxorrën nga burgu tak – fak. Përkundër zullumeve të një pakice të korruptuar, shteti mbeti shtet, gjykata e paisi vajzën e gjorë me urdhër mbrojtjeje. E mbrojtur me ato dy gisht letër ishte edhe kur në mes të ditës erdhi trimi dhe e vrau. Të paça o shtet.
Parë kështu vrasja e Sabrinës ishte e paralajmruar, madje edhe e parathënë. Erdhi si fatalitet që, megjithëse kishte dhenë shenja prej kohësh, nuk e shmangën dot as dy familjet, as komuniteti, madje as shteti.
Por vrasja në fjalë ishte e parathënë edhe në një rrafsh tjetër, më të gjerë. Flasim e përflasim jo pak vrasje të këtij lloji. Rioshë e burra të prekur në namuz, rrëmbejnë koburen e bëjnë gjëmën se e dashura a bashkëshortja braktisin lidhjen a kërkojnë divorc. Sa kohë të kemi namuzqarë të tillë, që i shohin vajzat a gratë jo si partnere të barabarta, por si mall që u përket atyre, vrasjet e kësaj natyre do vazhdojnë si fatalitet.
Vrasja e Sabrinës rezulton si krim i parathënë edhe në nje rrafsh të tretë, shumë më të gjerë. Në gjithë botën ndodhin vrasje monstruoze dhe absurde. Por ka të ngjarë që tek ne vrasjet për hiçmosgjë, për një gardh, një vijë uji a thjesht për një fjalë goje, janë shumë të shpeshta.
Me sa duket një pjesë jo e vogël prej nesh akoma nuk e ka bërë të vetin parimin moral ‘mos vra’ që qendron në themel të çdo shoqërie, të paktën nga Moisiu e këtej. Duket se kemi jo pak njerëz që s’e kuptojnë se jeta është e paprekshme dhe e shenjtë, e jep natyra/zoti dhe veç tyre s’ka te drejtë kush ta marrrë.
Po nuk e kuruam në front të gjerë këtë varferi morale, po nuk u bënë bashkë në një front familja, shkolla, institucionet fetare, media etj, vrasja e sabrinave do vazhdojë si fatalitet, si diçka e parathënë që vështirë se parandalohet.
Në raste si ky i djeshmi në Fier kambanat nuk bien vetëm për viktimën, bien sidomos për atë që ka vdekur brenda nesh si shtet, si moral, si shoqëri e si individë.
(Nga cikli ‘ Djerrinat e shpirtit’)