Vendosni fjalën kyçe....

Pikantet – Çfarë ‘u shpëtoi syve’ nga vizita e kancelares Merkel në Tiranë (Foto/Video)


Kancelarja gjermane Merkel mbërriti në Tiranë rreth orës 10 të mëngjesit, në vizitën e saj të fundit zyrtare.

Ajo që ra në sy menjëherë teksa shefja e qeverisë gjermane zbriste shkallët e avionit, ishte se për ta pritur nuk kishte dalë kryeministri Rama, që ia kishte deleguar ministres së Jashtme, Xhaçka, ‘misionin’. Pas takimeve të rastit, kancelarja Merkel u nis drejt Pallatit të Brigadave, ku e priste kryeministri Rama.

Pas disa çastesh ‘pikante’, teksa dera nga do dilte kancelarja gjermane u bllokua për pak sekonda, Rama e Merkel u përshëndetën, i pari me dorën e zgjatur ndërsa e dyta duke ruajtur rregullat e distancimit social, e duke i zgjatur grushtin.

Një tjetër ndodhi e pazakontë ishte ulja në karrige e kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel, teksa dëgjonin himnet, pamje që nuk rastis të shihesh shpesh ne ceremoni zyrtare.

Pas përshëndetjes me rojen e nderit, Rama e Merkel u futën brenda Pallatit të Brigadave ku është parashkuar fillimisht një takim kokë më kokë e më pas me ekipet respektive.

Më pas sipas axhendës së publikuar ditën e djeshme, të dy do shkojnë në Tirana Business Park ku do takohen liderët rajonalë. Vizita e fundit e kancelares Merkel në Tiranë, do mbyllet me një konferencë shtypi me kryeministri Rama që është parashikur rreth orës 14 e 30.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani