Në vitin 2011 njerëz pranë Berishës dërguan në media një dosje ndaj ish-ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi.
Dosja u publikua dhe e akuzonte Olldashin për favorizime për tenderin e fibrave optike.
I ndjeri Olldashi veproi me shpejtësi duke goditur në dy drejtime :
1.Sqaroi procedurën e tenderit.
2.Ai u informua se ishte Suzana Guxholli ajo që i dërgoi medias dosjen e tenderit. Olldashi i dërgoi fjalë se në arkivin sekret të Ministrisë së Brendshme ishte gjetur edhe emri i saj në listën e bashkëpunëtorëve ku nofka e Guxhollit ishte “Kajsia”.
Olldashi i kishte siguruar këto të dhëna gjatë kohës kur ishte Ministër i Brendshëm dhe kishte akses special në arkiva. Ai i shpërndau asokohe me sms dhe foto të bëra në arkivin e Ministrisë së Brendshme në të paktën dy burime mediatike me ndikim të kohës.
Hashtag.al posedon që prej vitit 2011 dokumentin e shpërndarë nga ish-ministri Olldashi ku në listën e bashkëpunëtorëve është edhe ish-këshilltarja e Berishës, Suzana Guxholli me pseudonimin “Kajsia”.
Në atë kohë ishte ndërhyrja energjike e Berishës dhe njerëzve të tij që parandaluan publikimin në media të dosjes Guxholli.
Zonja Guxholli është e vetmja këshilltare e ish-kryeministrit Berisha që bashkë me kolegun e saj Petraq Milo u komprometuan në një nga historitë më të forta të konfliktit të interesit dhe korrupsionit në qeverinë Berisha.
Në vitin 2009 u zbulua në shkrimin investigativ të Gazetës Albania (lexo këtu) që dy këshilltarët Suzana Guxholli dhe Petraq Milo kishin hyrë ortak me kushëririn e Berishës, Haxhi Isufi dhe të tre kishin përfituar lejen për ndërtimin e një HEC-i, kompania që i lidhte ishte “Interenergo”.
Ishte sërish Berisha ai që u angazhua energjikisht por kësaj here jo në media por në prokurori për të shmangur hetimin ndaj dy këshilltarëve të tij.
Asokohe, zonja Guxholli u lut pranë Gazetës Albania që të ndalej publikimi i mëtejshëm në lidhje me këtë çështje. Lutjet e saj u dëgjuan.
Së fundmi, zonja Guxholli po shfaqet agresivisht në mbrojtjen e ish-shefit të saj në qeveri zotit Berisha, duke kërkuar zbatimin e rregullave demokratike në parti, ndonëse në të paktën dy raste kur zonja Guxholli u diktua si ish-bashkëpunëtore e sigurimit dhe kur ajo u diktua e implikuar në kontratat e koncesioneve nuk zgjodhi rrugë demokratike për ta sqaruar pozicionin e saj por shfrytëzoi pushtetin okult të Berishës për të kompleksuar prokurorinë dhe për të bllokuar publikimet mediatike./ Hashtag.al