Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat e forta të Shahinit: Rektorë e dekanë në Shqipëri kanë vjedhur tezat e doktoraturave


Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka lëshuar akuza të forta ndaj rektorëve të universiteteve të vendit për plagjiaturë të punëve akademike nga ana e tyre.

Në një postim në Facebook ajo sqaron se ne vitin 2020 u kishte kërkuar rektorëve që të verifikonin  punimet e tyre akademike për plagjiaturë ndërsa pohon se ata e kundërshtuan këtë proces, pasi një pjesë e tyre nuk e kalonin dot kurse të tjerët në shenjë solidariteti me kolegët.

“Anti-plagjiatura është çelësi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në vitin 2020, kur universitetet publike në Shqipëri përzgjodhën udhëheqësit e rinj, si ministre e arsimit pata kërkuar që kandidatët për rektorë të bëjnë verifikimin e punimeve të tyre akademike përmes platformës digjitale anti-plagjiaturë, të cilën e siguruam për universitetet me buxhetin publik. Ideja ishte që pas rektorëve, kontrolli do të zbatohej për gjithë hierarkinë akademike, deri në zhdukjen e plagjiaturës nga universiteti publik. Rektorët refuzuan këtë proces pasi disa nuk mund ta kalonin kontrollin, ndërsa të tjerët e kishin më të rëndësishëm kolegjialitetin me kolegët se sa zhdukjen e kësaj sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë përbrenda. Qeveria nuk kishte mundësi ligjore t’i detyronte, duke qenë se ligji i arsimit të lartë i jep autonomi të plotë akademike universiteteve dhe nuk lejon ndërhyrje nga jashtë. Si rezultat, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara.” – shkruan Shahini.

Ajo shton më tej se reagimi i saj vjen teksa qeveria e Shqipërisë ka rinisur përpjekjen për cilësi më të lartë në arsimin e lartë.

Shahini thekson se kontrollet për plagjiaturë duhet të bëhen nga vetë universitetet për të respektuar automoninë e arsimit të lartë duke propozuar që asnjë rektor, dekan, shef departamenti apo profesor të mos zgjidhet pa kaluar kontrollin antiplagjiaturë.

“Po shkruaj sot për këtë pasi që qeveria e Shqipërisë paska rinisur përpjekjen për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, duke sugjeruar edhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ky është lajm shumë i mirë dhe vjen në një moment kur Partia Socialiste ka mandat të qartë qeverisës dhe mundësi për të bërë ndryshimin e duhur. Duhet bërë kujdes: kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura. Asnjë rektor, dekan apo shef departamenti, asnjë profesor, të mos zgjidhet pa kaluar nëpër kontrollin anti-plagjiaturë. Ndërkohë, Ministria e Arsimit duhet të sigurojë përsëri qasje për universitetet publike në platformën anti-plagjiaturë në gjuhën shqipe, e cila ka skaduar tashmë prej disa muajsh. Ndryshimet ligjore kundër plagjiaturës akademike marrin kohë dhe ky proces do të hasë në rezistencë të madhe nga universitetet. Por, duhet të ndërmerret sa më parë. Kurajo dhe sukses!” – mbyll reagimin Shahini.