Albin Kurti i përgjigjet Edi Ramës pas pretendimeve të kryeministrit të Shqipërisë për “teori konspiracioni” dhe mospranim bashkëpunimi në “Open Balkan”.
“Është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë po rri e bën teori konspiracioni”, tha sot Rama.
“A e keni pyetur për cilën teori? Është dashur ta pyesni. Unë nuk e di për cilën teori bëhet fjalë. Procesi i Berlinit është i nevojshëm po njëkohësisht i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për të tjera.
Ballkani është 12 shtete, jo 6.
Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe “Open Balkan” është se në të dytën nuk e kemi BE. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne të angazhohemi e ta kërkojnë njohjen e saj e jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e saj.
Çdo mirëkuptim për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia i kushton Kosovës.”, tha Kurti.
“A u kërkoi Merkeli që Kosova të bëhet pjesë e Open Balkan?”, e pyetën Kurtin gazetarët. “Jo”, u përgjigj ai duke shtuar: “Kosova është një shtet sovran dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet në përputhje me interesat tona, ne nuk e quajmë interes të Kosovës bashkëpunimin me një Serbi që nuk njeh krimet.
Nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. Nuk bën që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë! Pse u dashka të ndryshohet Kosova e jo Serbia që udhëhiqet nga ministri i Informatave të Millosheviçit?!”, theksoi më tej Kurti.
Lidhur me marrëdhënien mes tij dhe Ramës, Kurti tha se takohet me të por për “Open Balkan” ndajnë pikëpamje të ndryshme.
“Në çdo konferencë dhe samit takohemi e bisedojmë. Para dy javësh në Bled të Sllovenisë. Jemi takuar edhe në Tiranë, në Dhërmi. Ne vazhdimisht takohemi”, komentoi Kurti.
Komunikimi i Kurtit me gazetarët:
“Unë theksova se nuk duhet të ketë fonde europiane pa vlera europiane. Për vendet tona theksova se ka 4 elementë të domosdoshëm në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme e stabilitet.
E para, sundimi i ligjit, që vepron kundër korrupsionit e olgarkëve.
E dyta, demokratizimi që mundëson mediet të lira dhe të pavaruara dhe vepron kundër autokratëve.
Së treti, ballafaqimin me të kaluarën që nuk lejon kriminelë të luftës e aq më pak të jenë në pushtet.
Së katërti, reciprociteti për të drejtat e pakicave.
Janë 4 elementë tejet të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe sigurimin drejt BE.”
Raportet Kosovë-Serbi
“Raportet Kosovë-Serbi, nga pikëpamja jonë ato janë dy shtete që zhvillojnë dialog për marrëdhëniet me njëra – tjetra. Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm. Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë. Janë vetë faktorët ndërkombëtarë perëndimorë që e hoqën mbikëqyrjen.
Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, formimit të qeverisë më 22 mars, zgjedhjes së presidentes në 4 prill, në Kosovë kemi stabilitet institucional.
Ky stabilitet institucional po përkthehet në efekte pozitive ekonomike. Në Kosovë janë rritur eksportet 63 për qind, qarkullimi ekonomik 30%…Parashikojmë rritje ekonomike 7.9% të brutoproduktit vendor.
Nuk mund ta kompensojmë me territor Serbinë për humbjet që i ka shkaktuar asaj Sllobodan Millosheviçi me krimet e kryera gjatë luftës. Jo vetëm s’do t’i harrojmë kurrë, por s’do ndalemi së kërkuari drejtësi.
Ne shpjeguam qëndrimin tone, kancelarja Merkel u interesua për dialogun që mbahet në Bruksel. Ka një proces në Bruksel që zhvillohet por natyrisht që ka edhe mospajtime të thella. Kur ka kërkesë të serbëve të Kosovës si qytetarë të republikës unë jam mëse i gatshëm të dëgjoj dhe përgjigjem, por ankesat e Serbisë për humbjet që i ka patur pa Kosovën në ‘99 unë s’i kompensoj dot.”
“Open Balkan”
“A e keni pyetur për cilën teori? Është dashur ta pyesni. Unë nuk e di për cilën teori bëhet fjalë. Procesi i Berlinit është i nevojshëm po njëkohësisht i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për të tjera.
Ballkani është 12 shtete, jo 6.
Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe “Open Balkan” është se në të dytën nuk e kemi BE. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilin të gjithë ne të angazhohemi e ta kërkojnë njohjen e saj e jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e saj.
Çdo mirëkuptim për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia i kushton Kosovës
Kosova është një shtet sovran dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e quajmë interes të Kosovës bashkëpunimin me një Serbi që nuk njeh krimet.
Nuk duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. Nuk bën që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë.
Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë!” /Hashtag.al