Vendosni fjalën kyçe....

Nga “dalldia” e medieve për ngjyrën blu të xhaketës së Merkelit te Rama “falenderuesi”


Merkeli duke zbritur nga avioni në Tiranë

Gjithë ditën sot një pjesë e medieve online por po ashtu ndjekur nga komentues në rrjetet sociale kanë publikuar e diskutuar një detaj: ngjyrën blu të xhaketës së kancelares gjermane Angela Merkel.

Sipas tyre, Merkeli që kishte veshur një xhaketë “blu”, e cila për hir së të vërtetës ishte bojëqielli drejt një vjollce të lehtë, na paska patur një mesazh të koduar: se kancelarja e ka marrë seriozisht këtë vizitë, se Shqipëria është në rrugën e duhur, se Shqipëria duhet të marrë vendime por jo dhe aq të mëdha apo shoqëruar me ironi a besime të verbëra komentuesish se Merkeli mbështet Lulzim Bashën, liderin demokrat që ngjyrën blu e ka simbolikë të partisë.

Por “dalldia” e medieve u shoqërua edhe nga superlativat e falenderimet e kryeministrit Edi Rama për kancelaren gjermane, që me sa u pa, u përplasën krejtësisht “në vesh të shurdhër”, aq sa vetë kryeministrit Rama iu desh ta përsëriste disa herë që Merkeli nuk i ka qejf këto fjalë të mëdha për të.

Disa prej tyre në plot 7 minuta:

“Pa kancelaren Merkel, Ballkani nuk do ishte njësoj”

“Kemi privilegjin të presim në Tiranë një mike të Ballkanit, shqiptarëve dhe gjithë popujve të këtij rajoni, njëkohësisht në njëfarë mënyre jemi të trishtuar sepse kjo është vizita e lamtumirës e Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë”

“Askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se kancelarja gjermane”

“Sot ishte privilegj që kancelarja të ishte në Tiranë”

“E falenderoj…dhe për atë që kancelarja personalisht ka bërë për rajonin”

Reagimi i Merkelit teksa Rama e falenderonte, kthen kokën nga ana tjetër

“Duke e respektuar maksimalisht faktin që kancelarja është një lider që drejton Gjermaninë prej shumë e shumë vitesh por që asnjëherë nuk ka munguar t’i japë zemër politikës europiane por njëkohësisht është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë, oraret i ka të rëndësishme…”

“Sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë se ç’ishte përpara se sa Angela Merkel të niste procesin e Berlinit…”

“Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni”

“…ishte një privilegj, ishte një nder, ishte një kënaqësi që unë të kisha këtë detyrë në të njëjtën kohë me të, që të kisha mundësinë të njihesha me të që të kisha mundësinë të mësoja prej saj dhe sipas meje modestisht sot është një moment kur të gjithë ne jemi të vetëdijshëm qoftë për çfarë kancelarja ka bërë, qoftë për boshllëkun që ajo lë.”

Komplimente dhe superlativa nga Rama për Merkelin edhe pas 7 minutave të para:

“…këto gjëra i kam më të lehta t’i them kur nuk është prezente zonja, se nuk i duron dot këto fjalët që tingëllojnë si komplimente por ky nuk është kompliment. Në historinë e këtij rajoni Angela Merkel ka vendosur një gur kilometrik për gjenerata të tëra. Dhe do të jenë gjeneratat që do të gjykojnë me objektivitet çfarë ka nisur në tryezën e kancelares”

“Nuk do ta kemi në lidershipin e BE-së për shumë kohë dikë që di se çfarë është komunizmi, di se çfarë është diktatura, çfarë është censura dhe çfarë është ndrydhja e lirive dhe të të drejtave të njerëzve, në vetë të parë.”

“Ashtu sikundër Angela Merkel i shpëtoi nderin Europës kur e vetme qëndroi për të hapur dyert për emigrantët…”

“Angela Merkel është një dhe nuk vjen më!”/Hashtag.al