Një 31-vjeçar është arrestuar në Lezhë pasi është kapur duke transportuar me mjet 8 emigrantë të paligjshëm. Në pranga ka përfunduar E.P., banues në Kamëz ndërsa në kërkim është shpallur 18-vjeçari me iniciale F.D., banues në Kukës.
“Shtetasi E. P. është kapur në kushtet e flagrancës në Autostradën Milot- Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin tip “Volkswagen”, të marrë me qira nga shtetasi F. D., 8 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Ditën e djeshme një tjetër person u ndalua nga policia e Lezhës pasi iu kapën në mjet 7 emigrantë të paligjshëm të cilët po i dërgonte drejt Kosovës.
Prej kohësh në vend janë ndaluar dhjetëra shoferë duke transportuar shtetas të huaj që synojnë të shkojnë në vendet e BE-së.