Ndonëse Gjermania është ekonomia më e madhe dhe më e fortë e Europës, Shqipëria ka më pak lidhje me të në raport me vendet e rajonit, sidomos për tregtinë, por edhe investimet gjermane përgjithësisht mungojnë.
Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se Gjermania është partneri i katërt i Shqipërisë për eksportet në vitin 2019, me 4.7% të totalit. Shqipëria ka një varësi të madhe nga Italia, me gati 48% të totalit, që i vuri në vështirësi eksportuesit vendas, sidomos ata të tekstileve e këpucëve, gjatë periudhës së pandemisë. E dyta është Kosova (10%) dhe e treta Spanja, me 8% e lidhur kryesisht me eksportet e naftës bruto.
Në këto nivele, Shqipëria ishte e parafundit në rajon, përveç Malit të Zi për peshën që zë Gjermania në eksportet e rajonit. E para është Maqedonia e Veriut me gati 49%, Bosnjë Hercegonina (15%), Serbia (13%), Kosova (8%) për vitin 2019. Është marrë për referencë 2019-a, për shkak se ishte një vit normal, pa përçarjen që shkaktoi pandemia në zinxhirin e eksporteve (shih grafikun: Pesha e eksporteve drejt Gjermanisë/totalit, 2019).
Produkti më i eksportuar nga Shqipëria drejt Gjermanisë janë tekstilet e këpucët (53%), ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku mbizotërojnë produktet e makinerive e pajisjeve e materialet kimike.
Edhe për importet, Shqipëria është partnerja e fundit e Gjermanisë në rajon, me 7.2% të totalit (shih grafikun: Pesha e importeve nga Gjermania/totalit, 2019).
Tregtia rajonale
Sipas të dhënave nga WITS (sistemi i të dhënave për tregtinë i Bankës Botërore), Maqedonia e Veriut dërgon gati gjysmën e eksporteve drejt Gjermanisë. Materialet kimike dhe makineritë e pajisjet mbizotërojnë në produktet që shiten drejt Gjermanisë si rrjedhojë e zhvillimit të shpejtë të industrisë mbështetëse për automjetet. Partneri i dytë pas saj është Serbia me 8.5%. Për importet, Gjermania është partneri i dytë i Maqedonisë së Veriut, me 13.5% të totalit, pas Mbretërisë së Bashkuar (me 11.5%).
Edhe për Serbinë, Gjermania është partneri i parë tregtar për eksportet, me 13% të totalit, për vitin 2020, sipas të dhënave nga Trading Economics, ku produktet kryesore që shiten drejt ekonomisë më të madhe europiane janë pajisjet elektronike dhe elektrike.. Në vend të dytë është Italia, me 8.4%. Serbia ka një diversifikim më të mirë të eksporteve, duke mos qenë e varur nga një shtet i vetëm. Për importet, sërish mbizotëron Gjermania, me rreth 13% të totalit.
Gjermania është partneri kryesor i eksporteve edhe për Bosnjë- Hercegovinën, me gati 15% të totalit, me produktet kryesore që janë mallra bazë, makineri e pajisje. Pas Serbisë, Bosnja eksporton më shumë në Kroaci (12.2%).
Kosova ka partnerin kryesor tregtar për eksportet Shqipërinë, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, me 17.6% të totalit për vitin 2019. Ndërsa Gjermania renditet e katërta, pas Shqipërisë, Maqedonisë e Indisë, me 8% të totalit. Ndërkohë, Gjermania është e para për importet, me 12.8% të totalit.
Më pak i rëndësishëm është Gjermania për Malin e Zi, nga i cili importon 9.2% të totalit të mallrave ( e treta pas Serbisë dhe Kinës) dhe çon 3.3% të eksporteve. I pari për eksportet e Malit të Zi është Serbia, me rreth 24% të totalit.
Investime minimale nga Gjermania
Ndonëse Gjermania është donatori më i madh në vend, investimet e huaja direkte nga sipërmarrjet gjermane mungojnë. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, stoku i investimeve të huaja direkte nga Gjermania pas viteve ’90 është vetëm 183 milionë euro, ose 2% e totalit. (shih grafikun: Shqipëria, Stoku i Investimeve të huaja direkte deri në mars 2021).
Sipërmarrjet gjermane janë ankuar shpesh në sondazhet e publikuar anga Dhoma Gjermane për nivelin e lartë të korrupsionin, mungesën e rregullave të lojës, tregtinë e pandershme etj, çka i ka mbajtur ata larg vendit tonë, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, ku përqendrimi është më i lartë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor