Vendosni fjalën kyçe....

Lagarde: Puna nga shtëpia mund të zgjasë edhe më shumë se pandemia


Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, tha se punonjësit me shumë mundësi nuk do të kthehen në zyra me kohë të plotë, ndërkohë që kompanitë u mësuan t’i bëjnë ballë kushteve fleksibël gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Po i drejtohemi një mjedisi hibrid, ku një pjesë e javës do kalohet në zyrë, në mënyrë që njerëzit të takohen, të shihen me njëri-tjetrin dhe të mund të zhvillojnë mbledhje”- tha Lagarde, duke shtuar se në pjesën tjetër të javës, me shumë gjasa, do punohet nga shtëpia.

Projektimi i saktë i këtyre marrëveshjeve me kompanitë nuk është ende tërësisht i qartë. Megjithatë, njerëzit kanë mësuar gjatë pandemisë dhe këto mësime do përdoren në mënyrën e të punuarit në të ardhmen , sipas Lagarde.

Kompanitë e mëdha janë detyruar të vonojnë kthimet në zyra, pasi varianti Delta i koronavirusit ka shkaktuar rritje të infeksioneve. Lagarde pranoi se pjesë të mëdha të fuqisë punëtore, përfshirë stafin në spitale, punëtorët në ndërtim dhe shitësit në dyqane, nuk kanë luksin e zgjedhjes për vendin e punës.