Vendosni fjalën kyçe....

PD-ja mbledh grupin parlamentar, diskutohet plani për në seancën plenare dhe diskutimet në Kuvend


Partia Demokratike ka mbledhur ditën e sotme Grupin Parlamentar për të diskutuar dhe vendosur sjelljen e nesërme në seancën e Kuvendit të Shqipërisë ku do votohet edhe përbërja e qeverisë.

Seanca e nesërme do jetë maratonë pasi parashikohet që deputetët të kenë hapësirë për një diskutim 10 minutësh.

PD-ja vendosi që të mos e bojkotojë seancën e nesërme dhe të vijojë të jetë në sallë përgjatë gjithë kohës.

Diskutimet nesër priten të përqendrohen në tre çështje kryesore që sipas PD-së janë të rëndësishme dhe mazhoranca ka dështuar. Tërmeti, pandemia dhe kriminaliteti do trajtohen në diskutimet në Kuvend nga deputetët e PD-së.

Seanca e nesërme do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë e ndarë në tri faza, ku në fazën e parë do të bëhet prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama 3”, në fazën e dytë, e cila është parashikuar të nisë në orën 13:00, do të ketë pyetje nga deputetët dhe diskutime e debate, ndërsa faza e fundit, e parashikuar në orën 14:00, përfshin votimin e qeverisë dhe programit “Rama 3”.