Vendosni fjalën kyçe....

Strazimiri mbështet kryesinë e FRPD-së: Mbajini mend këta e emra, zgjodhën dinjitetin


 

Ish-deputeti Gent Strazimiri ka përshëndetur kërkesën e FRPD-së për të hedhur në referendum vendimin e Bashës për të hequr Sali Berishën nga grupi parlamentar.

Strazimiri tha se të rinjve paçka se ju u është ofruar pushtet zgjodhën dinjitetin

Postimi i plotë:

Demokrate dhe demokratë,

Mbajini mend mirë këta emra, do të duhej të kishin qenë “e nesërmja”…

“Të sotmen” do të ishte dashur t’ua kishim siguruar ne…

U bënë “e sotmja” para kohe, papritmas, instiktivisht, sepse e panë veten, të prerë në besë, të shitur, të nëpërkëmbur prej cilitdo që po u premton një “të nesërme” në pushtet, me mundësi pa fund por … pa dinjitet!!!

Po ua vrasin “të sotmen” me gjak të ftohtë, pa shkak, pa motiv, pa të drejtë, dikush me stilograf, dikush me heshtje, dikush se s’përfiton interes, dikush se përfiton interes, dikush se ende nuk po e kupton ku do e ketë interesin…

Janë fëmijët tuaj, të atyre që u ngritën në dhjetor 1990 kur askush “nuk vinte bast” për suksesin, përballë “forcës” më madhore që njihej, që njihnim, që kishte dhënë prova barbarie e mosmëshire gjakatare…

Asnjërit prej nesh nuk na thanë prindët “shko”, se fëmijën nuk e çon askush drejt vdekjes thuajse të sigurtë, por asnjërin prej nesh prindët nuk na ndalën!

Nuk na ndalnin dot!

Aty kuptuam pafuqinë e tyre, kuptuam se nuk na mbronin dot më, e se ishin dorëzuar para “të sotmes”… E kuptuam se ishte në dorën tonë, kuptuam se pavarësisht se 17, 18… qameti 22 vjeçarë, duhej të mendonim vetë edhe për “të sotmen”… jo më për “të nesërmen”…

Refuzuam dikush “atletet”, “xhinset” e dikush 1 vakt më shumë e më cilësor në mensën e konviktit… dhe ZGJODHËM DINJITETIN!

Kësisoj “çudia” ndodhi! E bëmë!

Prindët tanë të mirë e të vuajtur, nuk kishin faj e as arsye të skuqeshin pas kësaj…

S’kishin kaluar pothuajse asnjë ditë në liri!

Kujtojini ato ditë dhe do kuptoni që ne s’kemi asnjë justifikim që ata e kishin me pash!

Njësoj si ne atëhere, fëmijëve tuaj u ofruan pushtet, por zgjodhën DINJITET!

Zoti i bekoftë, e na ndihmoftë secilin prej nesh të gjejmë forcë për të qenë të denjë për ta!