Katër porte turistike e dy aeroporte të reja premtoi kryeministri Rama gjatë prezantimit të programit qeverisës.
Ai tha se gjatë mandatit të tretë, në vend do ngrihen kantieret për portet turistike të Sarandës, Vlorës, Durrësit e Shëngjinit.
Po kështu ai shtoi se do vijojë puna për aeroportet e Vlorës dhe Sarandës si dhe për Hidrocentralin e Skavicës. Kreu i qeverisë po kështu tha se do nisë puna për TEC-in e Vlorës ku do ketë një pikë gazsjellësi të dy kompanive të fuqishme amerikane si dhe për dy parqet fotovoltaike.
Rama premtoi rritjen e pagave të mësuesve dhe edukatorëve me 40% dhe të administratës me 30%. Ai bëri një premtim special për dyfishimin e rrogave të solistëve të Teatrit të Operave dhe Baletit, ndërsa theksoi se për pensionistët po punohet ende për të mundësuar rritjen për shkak të gropës së madhe në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Do nisië puna për kantieret për portet turistike të Sarandës, Vlorës, Durrësit e Shëngjinit. Do hapen si kantiere njëri pas tjetrit. Po kështu do ecim me aeroportet e Vlorës dhe Sarandës. Do zgjerohet aeroporti ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ me zgjatjen e pistës dhe terminalin e ri. Ky katervjeçar do jetë edhe kantieri i Hidrocentralit të Skavicës që jo vetëm do rrisë kapacitetet prodhuese të energjisë po si dhe mbrojtje për përmbytjet në ultësirën perëndimore. Po kështu do nisë puna në TEC-in e Vlorës me linjë gazsjellësi si dhe parqet fotovoltaike në Karavasta e Durrës. 40 mijë lekë të reja ose të paktën 38 mijë lekë të reja do e bëjmë pagën minimale në vend deri në fund të mandatit. Edukatorë e mësues do kenë rritje page me 40%, administrata 30% ndërsa pagat e solistëve të TOB-it do dyfishohet që nga viti i ardhshëm.S’kemi premtuar në fushatë asgjë domethënëse, as për pensionistët. Jo se nuk e dimë se ata meritojnë të shpërblehen më shumë se të tjerët. Përtej bonusit special që kemi vendosur në fundvit, por nuk kemi mundur dot dhe s’mundim dot që të hedhim atë hap, pasi gropa e hapur nga skema e vjetër e pensioneve para se të merrnim reformën e pensioneve, akoma nuk është mbyllur në pikën që ne hedhim një hap të guximshëm për rritje domethënëse. Dua të them sot, jo nga foltorja e fushatës, por nga Kuvendi, të gjithë gjyshërve dhe gjysheve se një plan i pavarur nga ecuria e kësaj reforme, është në tryezën tonë. Do të jetë dita më e bukur e jetës time publike dhe politike të marr shpërblim buzëqeshjen e tyre të bekuar për të vënë në zbatim plani për rritjen e pensioneve. Do ta mbajë çdo ditë në mendje marrjen e atij shpërblimi të shenjtë. Lus zotin që ta bëjmë realitet. Është një angazhim solemn në Kuvend për të bërë realitet këtë premtim të munguar. Kjo është diçka që ja vlen të bëjmë maksimumin.” – tha Rama.