Ministrja holandeze e Mbrojtjes ka njoftuar dorëheqjen e saj, pas largimit të ministrit të Jashtëm të enjten. Eksodi politik vjen pas një votimi parlamentar për të censuruar kabinetin për shkak të evakuimeve kaotike nga Kabuli, Afganistan.
Ank Bijleveld njoftoi dorëheqjen e saj të premten, duke deklaruar se kritikat me të cilat ajo përballet do të pengonin përpjekjet e Ministrisë së Mbrojtjes për të nxjerrë ata që ishin ende të bllokuar në Afganistan.
“Doja të vazhdoja të përfundoja misionin për të sjellë në siguri përkthyesit që janë akoma në Afganistan dhe të cilët shpresojnë tek ne,” tha ajo.
“Megjithatë, vërej se qëndrimi im është bërë objekt diskutimi. Si rezultat, unë nuk mund të mbaj më përgjegjësinë për njerëzit e mi në një mënyrë të mirë. Unë nuk dua që të pengoj punën e tyre të rëndësishme.”
Deklarata pati dallim të theksuar me vërejtjet që Bijleveld dha të enjten, pasi parlamenti e kritikoi atë për mënyrën e e evakuimit që ndoqi qeveria holandeze. Pasi mocioni u miratua, ministrja tha se përparësia e saj ishte ‘të siguroj që përkthyesit që janë ende në Afganistan të jenë të sigurt’, pavarësisht nga kritikat e ligjvënësve.
Parlamenti gjithashtu miratoi një mocion të veçantë duke censuruar të gjithë kabinetin dhe duke përcaktuar ministren e Jashtme Sigrid Kaag si përfundimisht përgjegjëse për dështimet e evakuimit. Menjëherë pas votimit, Kaag njoftoi dorëheqjen e saj, duke lënë të kuptohet se Bijleveld duhet të japë dorëheqjen gjithashtu.