Nga Ylli Manjani
Sekretari Amerikan i Shtetit, ambasadori/ja e ShBA, vetë Presidenti i tyre janë nënpunës shteti dhe jo drejtësia Amerikane. As drejtësia e botës!
Njësoj vlen ky arsyetim për çdo mininistër, kryeministër, president e ambasador kudo në botë.
Ata nuk janë gjykatë!
Për pasojë nuk kanë asnjë të drejtë të ngrenë akuza publike ndaj askujt.
Në të gjitha dokumentet ligjore të rruzullit, përfshi dhe Kushtetën e SHBA, sanksionohet eksluziviteti gjykatës së pavarur për të vendosur mbi fajsinë ose pafajsinë e çdo individi.
Askush tjetër, autoritet, pushtet apo individ nuk mund të shpallë dikë tjetër fajtor, përveç se gjykatës. Kjo e fundit gjykon vetëm mbi bazë provash e faktesh dhe në një proces të rregullt.
Pushtetet agresive bëjn çmos të provojnë fajësinë e dikujt para gjykatës, por nuk marrin përsipër ta zëvendësojnë atë.
Ky është rregulli i konsoliduar i 2000 viteve të fundit.
Me këtë rregull çdo njeri në botë ka të drejtë të kërkojë mbrojtje të dinjitetit ndaj cilitdo autoritet që e nëpërkëmb atë.
Pushtetet edhe mund të vrasin se kanë ushtri e armë në dorë. Edhe mund të sajojnë e manipulojnë se kanë para e legena që i shërbejnë pa hesap.
E prap se prap nuk kanë të drejtë të akuzojnë e as të gjykojnë njeri!
Nuk e kanë këtë të drejtë dhe pikë.
Tani, që ka shqiptarë që llogjet e politikanëve (përfshi dhe ato të huaj) apo të nënpunësve diplomatikë i quajnë ligj dhe nuk i diskutojnë, ky është fakt.
Por nuk çuditem, sepse këtu pranohet gjerësisht se “gjyqi” mbaron në komisariatin e policisë dhe tek zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Po bëri zëdhënie ambasadori/ja X apo Y, quhet dënim ndërkombëtar…
Kjo quhet legenosje kolektive. S’ka konventë e kushtetutë që i bën derman, me thënë të drejtën…