Vendosni fjalën kyçe....

Meta brenda “kornizës” – Mesazhet e presidentit për qeverinë, opozitën dhe shqiptarët


Ka folur një ditë para se të presë në presidencë kryeministrin Rama dhe ministrat e tij. Presidenti Ilir Meta nga Korça dha disa mesazhe të qarta për qeverinë, opozitën dhe shqiptarët.

I përmbajtur dhe brenda kornizës si president i vendit, Meta iu përgjigj pyetjeve nëse ka tejkalim sovraniteti të vendit nga SHBA-të, premtimit të tij për dorëheqje nëse Rama fitonte 71 mandate apo betimit të qeverisë së re.

Komunikimi i plotë i presidentit Meta me gazetarët:

“Çfarë mund të komentoni mbi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar meqënëse Doktori është edhe dobësia juaj?

Meta: (Buzëqesh)Meqënëse përmendët Doktorin, unë do të lutesha që të mos rrini kaq pranë me njëri-tjetrin.Edhe do të lutesha që të gjithë të jenë të kujdesshëm në këtë situatë të pandemisë pasi ka një tendencë të përkeqësimit dhe të rikthimit të një vale tjetër. Dhe mendoj që kjo është një çështje madhore.

Për sa i takon situatës së demokracisë në vendin tonë, edhe ajo kuptohet që është në një gjendje problematike. Nuk është ndoshta ashtu siç do të donin shumë, përfshi dhe mua, pas 25 prillit por pa asnjë diskutim është shumë më mirë se situate katastrofike para 25 prillit, në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në të gjitha institucionet qëndrore dhe vendore të vendit. Kështu që aktualisht pas 25 prillit, sidoqoftë janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një demokraci funksionale, parlament funksional dhe ajo është qëllimi ynë kryesor dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve që demokracia të funksionojë, që zëri i tyre të dëgjohet, që premtimet e atyre që votohen të mbahen.

Zoti Meta, ju keni thënë se në rast se Rama fiton 71 mandate, ju do të jepni dorëheqjen. A i qëndroni ende kësaj, meqë ju e keni njohur qeverinë Rama?

Meta: Tani nuk jemi këtu për të interpretuar dhe për të nxjerrë jashtë kontekstit se çfarë kam thënë unë, unë jam këtu për të respektuar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe këtë gjë e kam bërë edhe përpara 25 prillit.

Shpesh kam shumë kërkesa nga gazetarët për të dalë nëpër studio apo për të dhënë intervista po e kam gjykuar të panevojshme një gjë të tillë mbas 25 prillit për arsye sepse unë besoj që i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në dy vitet e fundit nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta por ka qenë i imponuar në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës, në kushtet e braktisjes së opozitës të të gjithë institucioneve, që nga parlamenti, pushteti vendor e çdo gjë tjetër por dhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrë të veçantë Gjykatën Kushtetuese, në mënyrën më antikushtetuese, të denoncuar qartë edhe nga Komisioni i Venecias, për të kapur edhe institucionin e Presidentit që përpara zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët.

Kështu që unë jam i detyruar të respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Aktualisht askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që ju takojnë aktorëve të tjerë politikë. Shpresojmë që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament, që Parlamenti të jetë më funksional, që sistemi i llogaridhënies të nisë të funksionojë në mbrojtje të interesit publik dhe po kështu të gjithë institucionet e tjera të rimarrin veten, të fitojnë integritetin e tyre dhe të respektojnë gjithmonë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Zoti president, për të mbetur te demokracia dhe që ju thatë jeni mbrojtës i saj dhe te sovraniteti. A është cënim i sovranitetit hyrja e ambasadorëve, të cilën ju edhe më herët e keni konsideruar si një tejkalim të misionit të tyre diplomatic për përjashtimin e Z.Berisha. Kam parasysh këtu deklaratat, edhe e djeshme ka qenë deklarata e ambasadores amerikane. A është kërcënim i sovranitetit në kontekstin se sovraniteti nuk është vetëm tërësi territoriale por edhe pavarësi në vendimarrje.

Meta: Së pari, sovraniteti është respektimi i vullnetit të qytetarëve dhe nuk ka mbrojtës më të mirë edhe të sovranitetit kombëtar se sa vetë sovrani, vetë qytetari, sigurisht kur ai është i ndërgjegjshëm për rëndësinë e votës së tij, kur e mbron, kur nuk e shet, kur nuk e tregëton në këmbim të gjërave të momentit, të cilat i humbet shumë shpejt.

Për sa i takon sovranitetit, pa asnjë diskutim që fjala kyç për dekadat që vijnë për Shqipërinë është Sovranitet. Që nuk do të thotë mospërmbushje e detyrimeve të Shqipërisë ndaj NATO-s, ku jemi anëtar prej kohësh apo ndaj Bashkimit Europian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi, nëpër një process tepër i ngadalësuar për fat të keq pasi gjithë detyrimet tona në raport me këto institucione/organizata ne i kemi të fiksuara qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që unë bësoj se, në radhë të parë, është e rëndësishme t’i kthejmë sovranitetin qytetarëve, ata të mos injorohen më, ata të mos përjashtohen më, ata të mos vendosen para faktit të kryer, ata të mos jenë më viktimë e arbitraritetit dhe kulisave të elitave, të cilat kanë kërkuar dhe kërkojnë ta nxjerrin këtë sistem jashtë kontrollit të qyetëtarëve.

Është bërë një hap me 25 prillin por hapa më të mëdhenj dhe më të shpejtë priten dhe pa asnjë diskutim që do ndodhin në të ardhmen besoj.

Kur do ta thërrisni Ramën për betimin dhe a do ta takoni atë?

Meta: Në çdo moment kemi qenë dhe jemi të hapur për të përmbushur të gjitha detyrimet kushtetuese për sa i takon këtij procesi pasi parlamenti i ri tashmë ka nisur punë dhe urojmë të jetë një parlament sa më funksional, sa më demokratik dhe natyrisht edhe qeveria e re duhet të fillojë sa më parë dhe njëkohësisht edhe kontrolli i parlamentit ndaj qeverisë.

Si e komentoni betejën e zotit Berisha për kthimin e tij në PD?

Meta: Nuk dëshiroj të merrem me çështje të tilla, për arsye sepse nuk është kjo detyra ime. Sigurisht që zoti Berisha, nuk mund të rri pa e thënë që është si vera, sa më shumë kohë kalon aq më tërheqës bëhet, po aq edhe më demokrat bëhet. Faleminderit!”/ Hashtag.al