Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka komentuar “Open Balkan” dhe marrëdhëniet me Shqipërinë. Ajo thotë se ftohja e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri po ndodh për vite me radhë, megjithëse si institucione të reja nuk i kanë dhënë Shqipërisë asnjë arsye të vetme që të mos përkrahte Kosovën.
“Në javët e fundit janë ftohur marrëdhëniet mes Shqipërisë edhe Kosovës. Një nga shkaqet është Open Balkans. Si e komentoni këtë dhe çfarë ndërmerrni ju për normalizimin e marrëdhënieve bilaterale me vendin fqinj shumë të rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë.”, është pyetur Osmani nga gazetarja Adelheid Feilcke e “Deutsche Welle”-s.
“Nuk do të thoja që kjo ka të bëjë me javët e fundit. Është diçka që po ndodh për vite me radhë, megjithatë, ne si institucione të reja të Kosovë nuk kemi dhënë asnjë arsye të vetme që do të nxiste Shqipërinë të ftohte marrëdhëniet me Kosovën apo të mos përkrahte Kosovën. Ne çfarë kemi bërë, është mbrojtja e interesave të vendit tonë sovran. Dhe pikërisht kjo ndodh, kur ne refuzojmë iniciativën Open Balkans, e njohur si iniciativa e Novi Sadit, për shkak se aty nuk mund t’i shtyjmë përpara interesat e Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, përderisa Serbia vazhdon të mohojë ekzistencën tonë si shtet. Iniciativa të tjera rajonale, të cilat na shtyjnë pozitivisht drejt Bashkimit Evropian, ekzistojnë. Ai është Procesi i Berlinit dhe ne atë e shohim si atë kulmin e përbashkët ku rajoni ynë ulet dhe mund të arrijë sukses.”, u shpreh Osmani.
Osmani u pyet edhe për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të e Bashkimin Europian, teksa komentoi se ato me SHBA-të janë të shkëlqyera.
“Unë, në fakt, nuk e di se nga është krijuar përshtypja që marrëdhëniet tani me SHBA-në janë më të ftohta. Është pikërisht e kundërta. Kosova, është në një pikë të raporteve të shkëlqyeshme dhe të avancuara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo rikonfirmohet çdo ditë nga kontaktet që i kemi me zyrtarët më të lartë amerikanë. Para disa ditësh unë kisha një telefonatë me zëvendës-presidenten amerikane, zonjën Kamala Harris. Kryeministri Kurti kishte telefonatë me sekretarin e shtetit, zotin Blinken. Ne, që nga zgjedhja jonë, kemi pasur vazhdimisht edhe shkëmbim letrash me presidentin Biden, edhe kontakte gati ditore me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të National Security Council edhe të tjerë. Kjo dëshmon, jo vetëm vlerësimin e lartë që e kanë ata, që Kosova po luan rol të rëndësishëm, jo vetëm në raportet bilaterale, por edhe për problemet globale, siç ishte gatishmëria jonë, si shteti i parë, për të marrë refugjatë afganë, si aleatë të Shteteve të Bashkuara, por edhe me rolin që po e luajmë në rajon dhe gjetiu. Ne nuk kemi asnjë çështje, për të cilën nuk pajtohemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të cilën nuk e kemi përkrahjen e plotë të tyre. Unë do të udhëtoj tani për Shtetet e Bashkuara për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që nuk është vizitë bilaterale, por ka të bëjë me takime me liderë të shteteve të tjera, ku do të diskutojmë raportet me Kosovën, por në nëntor do të udhëtoj prapë në Amerikë dhe shpresoj shumë që edhe do të kemi vizita të rëndësishme nga vetë Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Por duke qenë njeri përbrenda takimeve të nivelit më të lartë nga zyra ovale prej vitit 2006 e tutje e deri tek takimet e tjera ku kam qenë prezente në kapacitetet e mia të ndryshme, unë mund të them që tani kemi raporte jashtëzakonisht të mira, dhe absolutisht asnjë dyshim të vetëm, asnjë qytetar i Kosovës nuk ka nevojë ta ketë, se ka ftohje të marrëdhënieve se kjo thjesht nuk është e vërtetë.”, tha në intervistë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Ajo u pyet më pas nëse duhet përfshirë SHBA-ja më shumë dhe drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi?
“Kosova ka fatin që ka pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara historikisht, por në veçanti në procesin e Dialogut. Tani mund të them që ka një interesim të madh në këtë proces nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara. Formati, se si ata përfaqësohen aty, është çështje që duhet ta vendosin ata. Mirëpo interesimi është jashtëzakonisht i lartë, dhe ne jemi vazhdimisht në kontakt për të koordinuar edhe me ta…”, theksoi Osmani, duke shtuar se janë në kontakt edhe me Bashkimin Europian për këtë çështje.
“Natyrisht, edhe me BE-në, sepse BE-në po e marr si të mirëqenë duke qenë se ata janë aty në udhëheqje të procesit. Por, sa do të jenë fizikisht prezentë Shtetet e Bashkuara, do të jetë vendimi i tyre, për ne është me rëndësi që çdo veprim, çdo hap tonin ta koordinojmë edhe me shtete të caktuara të BE-së, sepse nuk do të thoja me të gjitha, sepse ka shtete, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, por me shtete të caktuara, si Gjermania, në veçanti, dhe pastaj me Shtetet e Bashkuara është me rëndësi, që ne t’i koordinojmë hapat. Se kështu është i garantuar suksesi, si në dialog, ashtu edhe në procese të tjera.”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës pret nga Gjermania që të jetë e zëshme për ta thënë të vërtetën rreth Serbisë.
“E vërteta rreth Serbisë është që ai shtet po e destabilizon rajonin dhe Bashkimi Europian nuk do të duhej të pranonte të hapte asnjë kapitull të ri, në qoftë se Serbia nuk e njeh Kosovën, sepse njohja është parakusht për paqe dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Dhe e fundit: Pres që Gjermania të luajë rol lideri në Bashkimin Evropian për të shtyrë përpara vendet tona drejt anëtarësimit në BE. Por gjithnjë bazuar në kriteret që i plotësojmë. Sepse një vend autokratik ta zëmë si Serbia nuk e ka vendin në BE. Ata duhet të ndryshojnë shumë, nga pranimi i krimeve dhe drejtësia, e deri te reformat e tyre të brendshme në sundimin e ligjit, liria e mediave dhe e shoqërisë civile e të tjera, në mënyrë që të pranoheshin atje. Pra, nuk duhet të jetë një logjikë, ku t’i fusim të gjithë, pavarësisht, se a kanë plotësuar kritere a jo. Natyrisht, që është me rëndësi që të futemi në të njëjtën kohë, e pse jo, e jo të lejohet Serbia të hyjë, e pastaj të bllokojë shtetet e tjera megjithatë, gjithnjë duke u bazuar në plotësimin e kritereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me demokracinë.”, përfundoi Osmani.