Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohej i djegur brenda makinës në Pukë, biznesmeni italian Pecorelli është gjallë


Biznesmeni italian Davide Pecorelli i cili dyshohej se ishte djegur në një makinë në Pukë është gjallë.

Mediat italiane raportojnë se ai është gjetur në një gomone në brigjet e Livornos.

“Unë do ta përqafoj atë, pastaj do t’i tërheq veshët”, tha babai i Davides. Ai tregon për telefonatën me ish-gruan e Davides e cila i ka dhënë lajmin e mirë për të birin. “Unë po shpresoja për të, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë: ajo menjëherë më tha se kishte folur me Daviden dhe se ai është mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu që ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë”, është shprehur ai.

Ngjarja

Pecorelli i cili ndodhej në Shqipëri për të bërë biznes, kishte marrë një makinë me qira e cila u gjet më pas e djegur në Pukë.

Brenda saj u gjet edhe trupi i një njeriu. Tashmë me ndryshimin 360 gradë të çështjes mister është se kujt i përket trupi.

 Pecorelli po kalonte një periudhë shumë të vështirë në menaxhimin e bizneseve të tij. Nga shtatori i kaluar ai ishte zhvendosur në Shqipëri duke tregtuar makina të shtrenjta me vlerë deri në dhjetëra mijëra euro.

Pak kohë para zhdukjes ai kishte shkëmbyer mesazhe me një mik të cilit i kishte thënë se do të shkonte në Shqipëri për të mbyllur disa punë me disa profesionistë vendas. Tani pritet të zbulohet arsyeja pse Davide u zhduk për një kohë të gjatë dhe pse ndodhej në atë gomone në detin Tirren. Hetuesit pritet të rindërtojnë atë që ndodhi që nga fillimi i vitit deri në gjetjen e Pecorellit në mes të detit.