Një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur nga policia në Tiranë.
Në pranga ka rënë një shtetas me iniciale D.K.
Ky shtetas ishte duke lëvizur në bulevardin “Bajram Curri” kur policia e ka ndaluar për kontroll automjetin.
Gjatë kontrollit 46-vjeçarit iu gjetën 46 doza kokainë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrolleve në qytet për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë, në bulevardin “Bajram Curri” kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin D. K.
Gjatë kontrollit të çantës të dorës dhe të automjetit të tij, shërbimet e Policisë, gjetën 46 doza me lëndë narkotike kokainë, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 46 vjeç, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme”-thuhet në njoftim.