Drejtori i Transmetimeve Lokale në RTSH Jetmir Shpuza flet për pushim nga puna ndërsa akuzon kreun e Këshillit Drejtues të këtij televizioni Leka Bungon se po përndjek punonjësit.
Shpuza thotë se e gjitha kjo ka ardhur pasi ai është parë duke pirë një kafe me ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi, ku ata janë fotografuar dhe më pas kjo foto i është dërguar nga Bungo nëndrejtorit Martin Leka dhe është përdorur si argument për ta pushuar nga puna.
Ai thotë se nuk e dinte që në RTSH paguhen njerëz për të gjurmuar ish-drejtorin se me kë pi kafe ndërsa e quan kryetarin e ri të Këshillit të televizionit Leka Bungon si “njeriun me hije nga e kaluara”.
Shpuza madje ka publikuar edhe një foto nga një tjetër takim me Gëllçin më të qartë se ajo që ka qarkulluar nga drejtuesit e RTSH-së, që mos ta kenë “të turbullt”.
“Nuk e dija se në RTSH paguhen njerëz me rrogë për të gjurmuar ish-drejtorin Thoma Gëllçi se me kë pi kafe. Fotoja e parë është bërë te Rogneri përtej xhamit dhe e ka administruar Leka Bungo, kryetari i këshillit drejtues, i cili ia ka dërguar Martin Lekës, nëndrejtorit, dhe një anëtari të këshillit si argument që unë duhet të pushohem nga puna urgjent, pasi po rri me armikun e “kllasës”. Këto janë metoda të sigurimit të shtetit, që me sa duket kanë filluar të futen në RTSH me ardhjen e njeriut me hije nga e kaluara. Ne bëmë një foto vetë, të dytën, që ta kenë më të qartë, jo ashtu turbull. Respekte!” – shkruan Shpuza.