Katër ditë kanë kaluar që kur minatori Muharrem Plaku mbeti i bllokuar në një galeri në minierën e Bulqizës dhe shpresat për ta gjetur atë të gjallë po shuhen gjithnjë e më shumë.
Sot është dita e pestë për 60-vjeçarin nën errësirën e minierës së Bulqizës dhe kryebashkiaku Lefter Alla ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ku u lutet ekipeve të shpëtimit të arrijnë sa më parë tek minatori.
“I shqetësuar pafundësisht për situatën rreth kërkimeve të minatorit Muharrem Plaku.
Çdo punë dhe angazhim i yni është për të mirën e qytetarëve tanë, por jeta e secilit prej tyre, në qytet apo në fshat, kudo qoftë, vlen më shumë se gjithçka tjetër.
Lutem që ekipet e kërkimit të arrijnë sa më parë tek Muharremi dhe ta nxjerrin atë shëndoshë e mirë, ta bashkojnë me familjen e të afërmit e tij, dhe t’i japin fund shqetësimit dhe ankthit që ka pushtuar të gjithë bashkëqytetarët tanë, e jo vetëm.”- shkruan kryebashkiaku Alla.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën e 15 shtatorit, kur 60-vjeçari u bllokua pas një shembjeje shkëmbore teksa ka qenë duke hapur frontin e ri të punës për minatorët që do të nxirrnin më pas mineralin e kromit.
Bashkë me Plakun kanë qenë duke punuar edhe 5 minatorë të tjerë, por këta të fundit kanë arritur të shpëtojnë vetëm me dëmtime të lehta.