Policia e Gjirokastrës ka goditur këtë të dielë një rast të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Në një njoftim bëhet me dije se dy persona janë vënë në pranga, pasi janë kapur duke transportuar mbi 10 emigrantë të paligjshëm.
“Nga specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Gjirokastër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit Y. Ç., 52 vjeç dhe S. M., 49 vjeç, banues në Tepelenë.
Shtetasit Y. Ç. dhe S. M., u kapën në aksin rrugor Përmet-Tepelenë, në vendin e quajtur Ura e Dragotit, duke transportuar me automjetet tip ‘Nissan’ dhe ‘Benz’, 13 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy automjete dhe 4 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.