Qeveria e Meksikës po jep me llotari shtëpinë e Joaquín “El Chapo” Guzmán, ku ai u arratis nga marinsat në vitin 2014.
Siç raportojnë medie si “Associated Press” dhe “The Washington Post” biletat filluan të shiten të Mërkurën për rreth 12 dollarë, një ditë para Ditës së Pavarësisë së Meksikës. Numri i biletës fituese është 1,438,619, por identiteti i pronarit të ri për momentin mbetet sekret.
Instituti Meksikan për Kthimin e Mallrave të Vjedhura Njerëzve, i njohur si INDEP, e ka vlerësuar pronën në 183,000 dollarë. Vila është e vendosur në Sinaloa, ka dy dhoma gjumi, dhomë ndenjeje, dhomë ngrënie, garazh dhe një kopsht.
Presidenti Andrés Manuel López Obrador e tregoi shtëpinë e lordit të drogës meksikane gjatë një konference shtypi më 16 qershor dhe tha se të ardhurat nga ankandi do të shkojnë për ilaçe, vaksina, bursa dhe ndërtimin e rrugëve në të gjithë vendin.
“Ka të bëjë me kthimin e asaj që u konfiskua te njerëzit, qyteti… gjithçka që ne mund të hedhim në lojë në mënyrë që ajo që fitohet të jetë e destinuar për zhvillimin e kombit dhe mirëqenien e njerëzve.”- tha presidenti, për Post.
Gjatë arratisjes së El Chapo nga shtëpia përmes një tuneli nëntokësor shtatë vjet më parë, prona u dëmtua nga marinsat meksikanë dhe është braktisur që atëherë.
Për përmirësimin e vogël të shtëpisë, INDEP që atëherë ka lyer brendësinë dhe pjesën e jashtme të pronës, duke mbyllur dhe hapësirën nën vaskë që çon në tunelin famëkeq nëntokësor ku Guzman u arratis. Aktualisht El Chapo, i cili është 64 vjeç, po vuan një dënim të përjetshëm në SHBA.