Vendosni fjalën kyçe....

“Apple” njeh më në fund zyrtarisht territorin e Kosovës së Pavarur (FOTO)


Gjiganti teknologjik “Apple” më në fund e ka njohur territorin e Kosovës në hartë me sistemin e ri operativ, të lancuar të hënën e 20 shtatorit.

E kështu duket se nisma “Put Kosovo on Apple Maps” më në fund ka dhënë rezultatet e pritura.

Ndryshe nga softuerët e kaluar, me sistemin iOS15 tek iPhone kufijtë e Kosovës shënohen me vijë të plotë e jo të ndërprerë, siç ishte më parë.


Sistemi i ri operativ është nxjerrë në të njëjtën kohë me telefonin e ri, iPhone 13.

Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, Apple kishte rregulluar të gjitha lokacionet në territorin e Kosovës duke i shënuar në gjuhen shqipe.

Kjo ka ardhur pas një peticion të filluar në korrik të vitit të kaluar, përmes të cilit mijëra shqiptarë i kërkuan “Apple”-it të tregonte një Kosovë të pavarur në hartat e saj.

Kujtojmë se ky peticion u firmos dhe u mbështet edhe nga personazhe të njohura me origjinë shqiptare nëpër botë, si këngëtaret Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha dhe të tjerë.