Vendosni fjalën kyçe....

Braçe: Qemali, Zogu, Musolini, Hoxha, Alia e Berisha s’e bënë dot drejtësinë e pavarur, PS ka bërë reformën më të madhe në 100 vite


Ish-zv.kryeministri Braçe ka bërë thirrje për vijim të vetingut në drejtësi. Ai shkruan se procesi është jetik dhe në shërbim të qytetarëve, të cilët sipas tij po vuajnë ende pasojat e drejtësisë së vjetër.

Ai thekson se PS-ja ka ndërmarrë reformën më të madhe në 100 vite dhe kjo reformë po fillon të japë rezultatet e para.

“Vetingu eshte interes publik, jetik! Drejtësia e vjetër ende rrjep lekurët e njerëzve të zakonshëm! Partia Socialiste ka ndërmarrë Reformën më të madhe në 100 vite, më të mbështeturën ndër njerëz dhe që po arrin rezultatet e para, domethënëse, të qëndrueshme, kur po shemb një sistem që ka qenë fuqia përtej votës, demokracisë, qoftë e politikanëve hajdutë që kanë vjedhur duke vrarë e kanë vrarë për tu mbrojtur nga drejtësia, qoftë e një grushti biznesmenësh apo kriminelësh që synimin e fundit kanë të kthejnë në farsë çdo pushtet politik.” – shkruan Braçe në Facebook.

Ish-numri dy i qeverisë shton se procesi duhet të ecë më tej pa u ndalur deri në pastimin e krejt sistemit të drejtësisë e ndërtimin e institucioneve të reja për të qenë sa më efikase, funksionale e të pastra për njerëzit. Në fund ai shkruan se që prej themelimit të shtetit të gjithë bënë drejtësinë e tyre e dështuan ta bëjnë atë të pavarur duke theksuar se një e tillë ajo do jetë kontributi më i madh në 100 vite në vend.

“Prej themelimit të shtetit, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Musolini, Enver Hoxha, Ramis Alia, Sali Berisha bënë DREJTËSINË E TYRE, dështuan të bëjnë drejtësinë e pavarur, të barabartë, funksionale e për këtë shkak të besueshme. Drejtësia dhe një vend i drejte përmes saj, do jetë kontributi më i madh në 100 vite në këtë vend!” – thekson Braçe.