Një rus i tretë po përballet me akuza për përfshirjen e tij në helmimet e ndodhura në Salisbury në vitin 2018, ku tre persona mbetën të lënduar rëndë dhe një humbi jetën.
BBC shkruan se sipas hetimeve, besohet që Denis Sergeev ishte komandant në terren në sulmin me Novichok kundër ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia.
Nga kjo ngjarje humbi jetën Dawn Sturgess ndërsa një oficer policie u plagos rëndë.
Policia gjithashtu konfirmoi se beson se të dyshuarit në këtë rast i përkisnin një ekipi të inteligjencës ushtarake ruse.
Sergeev besohet të ketë qenë anëtar i lartë i ekipit GRU të Rusisë dhe gjithashtu është i lidhur me aktivitete të tjera të fshehta në të gjithë Evropën.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës tani ka autorizuar akuzat, por të dyshuarit nuk mund të akuzohen zyrtarisht nëse nuk arrestohen.
Të tre të dyshuarit mendohet të jenë në Rusi: Anatoliy Chepiga, Alexander Mishkin, tanimë edhe Denis Sergeev.
Nick Price, kreu i departamentit të krimit të veçantë dhe kundër terrorizmit tha se kishte “prova të mjaftueshme për të siguruar një perspektivë reale të dënimit” dhe se ishte në interesin publik që Sergeev të ngarkohej me këto akuza.
Ai tha se prokurorët po punojnë me policinë për t’i sjellë sulmuesit para drejtësisë “aty ku është e mundur”, por Rusia e ka bërë të qartë se nuk ekstradon qytetarët e saj.
Qeveria britanike tha se nëse të dyshuarit largoheshin nga Rusia, do të bënte “gjithçka që mundemi për t’i ekstraduar ata dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Kush është i dyshuari i tretë?
Sergeev pretendohet të jetë një gjeneral kryesor dhe anëtar i lartë i Njësisë 29155 të GRU-së, një ekip i ngarkuar me sabotim, përmbysje dhe vrasje. Ai u bashkua me ekipin pasi shërbeu në forcat speciale ruse.
Autoritetet bullgare thonë se Sergeev dhe dy burra të tjerë nga Njësia 29155 u regjistruan në hotele në Sofje në Prill të vitit 2015, duke këmbëngulur që t’u jepeshin dhoma me pamje nga parkimi nëntokësor i makinave.
Nga mbikëqyrja e atij parku të makinave u pa një burrë që i afrohet makinave të një tregtari bullgar të armëve Emilian Gebrev, si dhe djalit të tij.
Një substancë toksike besohet të jetë vënë në dorezat e atyre makinave – e ngjashme me mënyrën se si agjenti nervor Novichok u vendos në dorezën e shtëpisë së Sergei Skripal. Gebrev dhe djali i tij u sëmuren, por arritën të mbijetojnë.
Edhe pse ai kishte një fluturim kthimi të rezervuar dy ditë më vonë, Sergeev u largua nga vendi më 28 Prill – ditën e helmimit. Ai dyshohet se mund të jetë njeriu i kapur në kamerat e sigurisë në parkun e makinave.