Vendosni fjalën kyçe....

Prezantohej si i dërguar nga “të fortë” dhe u merrte para qytetarëve, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë (VIDEO)


Një 34-vjeçar është arrestuar sot për kanosje e gjobvënie nga Policia e Tiranës.

Ai është identifikuar si Mark Nikolli, 34 vjeç, banues me qira në Tiranë. Sipas hetimeve të policisë, ky person prezantohej si dikush me lidhje të forta me persona me precedent të theksuar kriminal dhe detyronte shtetas të ndryshëm t’u jepnin para në anë të kanosjes.

Pas një pune hetimore disajavore, Nikolli u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Pindesing”.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pindesing”.

Operacioni i zhvilluar nga Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë.

Prezantohej si lidhje e personave me precedent të theksuar kriminal dhe shtrengonte në anë të kanosjes për dhënien e pasurisë shtetas të ndryshëm, vihet në pranga 34-vjeçari.

Sekuestrohen një shumë e konsiderueshme parash dhe dy aparate celular që shërbenim për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.

Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune hetimore disajavore, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Pindesing”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. N., 34 vjeç, banues me qira në Tiranë.

Ky shtetas, në kohë dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur për dhënie pasurie shtetas të ndryshëm, konkretisht:

  1. Më datë 01.09.2021, ky shtetas ka shtrenguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin V.K.;
  2. Më datë 16.09.2021, ky shtetas ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin J.B.;

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.