Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësi i pikës së karburantit në Gjermani vritet pas sherrit për maskën me klientin


Një punonjës i një pike karburanti në qytetin Idar-Oberstein të Gjermanisë humbi jetën pas një mosmarrëveshjeje me një klient për masat Covid-19, tha policia të hënën.

Sipas raportit të policisë, një 49-vjeçar dyshohet se ka qëlluar punonjësin e stacionit të karburantit mbrëmjen e së shtunës, për shkak të kërkesës për vënien e maskës.

Sipas policisë, burri thuhet se ka hyrë në stacionin e karburantit për të bërë një blerje pa veshur një maskë për fytyrën dhe punonjësi 20-vjeçar i ka kërkuar atij që të respektonte rregulloren, shkruan DW.

Pas grindjes, 49-vjeçari është larguar por është kthyer sërish një orë më vonë. Këtë herë, ai ishte i veshur me një maskë, por ai e hoqi atë dhe të dy burrat filluan një grindje tjetër. I dyshuari më pas nxori një revole të fshehur nga xhepi dhe e qëlloi 20-vjeçarin.

Prokurori i lartë publik Kai Fuhrmann tha për DPA se viktima vdiq pas një goditjeje fatale në kokë. Pas incidentit, i dyshuari thuhet se ka ikur në këmbë. Pas arrestimit të nesërmen, burri pranoi krimin duke theksuar se është kundër masave kufizuese të Covid-19 dhe se situata e pandemisë koronavirus e kishte stresuar shumë atë, tha Fuhrmann.

Departamenti i policisë i qytetit Trier tha se të shtënat ishin incidenti i parë që lidhej me masat e koronavirusit në zonë dhe në shtetin e Rheinland-Pfalz.