Kryeministri Edi Rama ka reaguar lodhur me situatën e krijuar në Kosovë për reciprocitetin e vendosur nga qeveria Kurti ndaj Serbisë për ndalimin e hyrjes me makina me targa serbe.
Rama bën thirrje për një dialog mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Europian.
“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë.” – shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kujtojmë se vendimi i qeverisë së Kosovës hyri në fuqi një ditë më parë. Sipas këtij vendimi të kryeministrit Albin Kurti, mjetet që hyjnë në Kosovë me targa serbe, duhet të pajisen me targa të përkohshme.