Vendosni fjalën kyçe....

Sizmiologu Rrapo Ormeni pas tërmetit në Klos: Nuk ka lidhje me atë të 2 viteve më parë, zona njihet për lëkundje të vogla


Pasditen e sotme u regjistruan disa lëkundje tërmeti në veri të vendit, që u ndjenë në disa qytete, përfshirë në kryeqytet.

Tërmeti që sipas IGJEUM ishte me magnitudë 3.7 të shkallës Rihter dhe me epiqendër 6 km në Jug të Klosit, për koiçidencë u shënua në të njëjtën datë dhe orar si ai i dy viteve më parë. Është fjala për tërmetin e 21 shtatorit të 2019-ës me epiqendër pranë qytetit të Durrësit, që shkaktoi mjaft dëme materiale dhe shërbeu si paralajmërim për tragjedinë që do ndodhte dy muaj më vonë më 26 nëntor.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me televizionin “News 24”, sizmiologu Rrapo Ormeni nuk e konsideron shqetësues tërmetin e sotëm duke u shprehur se zona e Klosit është një zonë që njihet për tërmete të kësaj magnitude që nuk shkaktojnë dëme. Ndërsa e ka konsideruar vetëm një koincidence datën dhe orën e njëjtë me tërmetin e 2 viteve më parë.

“Zona që ka rënë tërmeti është njohur për tërmete të kësaj magnitude. Në tërësi në këtë zonë bien tërmete të vegjël që nuk shkaktojnë dëme. Tërmete të kësaj magnitude bien në këtë zonë. Nuk ka lidhje me tërmetin e dy viteve më parë epiqendra e të cilit ishte në Durrës. Nuk kanë lidhje pavarësisht koincidencës në datë dhe orë. Në Klos bien vetëm tërmete të këtij niveli magnitude.”- tha sizmiologu.