Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, ka reaguar pas vendimit për ish-prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Në një postim në rrjetet sociale, zonja Kim shprehet se “i vjen mirë” kur shikon që drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar.
Ajo inkurajon prokurorët që të vazhdojnë të ndërmarrin veprime të tilla kundër zyrtarëve të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar.
“Më vjen mirë që shikoj se drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve – pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm – të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin.”- shkruan ambasadorja Kim.
Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Sipas këtij vendimi, Llalla dënohet me 2 vite burg për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.