Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në fuqi vendimin për Adriatik Llallën: 2 vite burg dhe konfiskim të pasurisë


Këtë të mërkurë në orën 13:00 u mblodh Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të marrë vendimin ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarja kryesuese Nertina Kosova dhe anëtarët Milana Muça dhe Dhimitër Lara.

Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila e dënoi atë me 2 vite. Gjykata po ashtu vendosi t’i konfiskohen pasuritë dhe që Llalla të mos ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vite.

Avokati i Llallës e ka konsideruar këtë vendim të padrejtë. Ish-Kryeprokurori nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, pasi sipas avokatit të tij ndodhet në regjim spitalor pasi vuan nga një sëmundje e pashërueshme.

Llalla u mor i pandehur nga SPAK pas një hetimi të nisur për të që prej vitit 2018 nga prokuroria e Durrësit e më pas ish-prokuroria e krimeve të rënda.

Ish-kryeprokurori u shpall fajtor nga GJKKO lidhur me 3 episode, fshehjen e shpenzimeve për familjarët e tij në Gjermani në vlerën e 7050 eurove, fshehjen e shpenzimeve për lindjen e djalit në Amerikë në vlerën e 7700 dollarëve si dhe shpenzimet për ndërtimin e katit të 3-të të banesës së tij.

Kujtojmë se gjatë kohës që ishte në detyrë, Llalla u përplas me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, të cilin e akuzoi për çështjen e ‘Bankers Petroleum’. Po kështu Llalla pohoi në një intervistë në ‘Opinon’ se Lu i kishte kërkuar atij të arrestonte Ilir Metën.