Shtatë persona janë arrestuar në Elbasan, Fier e Krujë.
Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale si kultivim kanabisi, dhunë në familje, vjedhje e organizim lojërash fati.
Njoftimi Krujë
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bruzi”. Gjatë këtij operacioni, shërbimet policore kanë evidentuar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Bruz Zall. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin R. Sh., 28 vjeç, banues në Kamzë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi Fier
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin D. Sh, 55 vjeç, banues në Patos, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vajzës së tij.
Po nga këto struktura u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Sh. M., 43 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin e datës 13.09.2021 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier proceduan penalisht shtetasin H. H., pasi në Daullas, Fier, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka djegur një sipërfaqe me shegë.
Gjithashtu, filloi procedimi penal për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje” për shtetasit A. H., 26 vjeç dhe L. Dh., 50 vjeç, banues në Drizë, Fier, pasi për motive të dobëta janë goditur me njëri-tjetrin me sende të forta. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi Elbasan
“Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Vijojnë kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun Elbasan, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Evidentohet një rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin:
B.D., 31 vjeç, banues në Librazhd, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin:
F.Ç., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, është konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas ka goditur për shkak të detyrës, rojën e një dyqani, shtetasin R. K.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin:
B.E., 15 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Syrja Dylgjeri”, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur një ciklomotor.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin:
K.D., 25 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh, Librazhd, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.”