Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, që të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, të kenë targa të përkohshme gjatë vozitjes në Kosovë.
“Ne nënvizojmë edhe një herë se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët. Marrëveshjet nga e kaluara përbëjnë një element të rëndësishëm të normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. BE dhe shtetet e saja anëtare kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga dialogu, pa vonesa tjera”, ka thënë ai përmes një deklarate me shkrim.
Sipas tij, “secili provokim dhe veprime të njëanshme duhet të shmangen, pasi janë në kundërshtim me interesin e njerëzve në rajon”.
Ai u ka bërë thirrje liderëve në Prishtinë dhe Beograd që të kenë qasje me përgjegjësi dhe të punojnë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të shmangur ndonjë përshkallëzim, si dhe për rikthim të atmosferës paqësore.
Borrell ka thënë mes tjerash se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura.